Ulja e rimbursimit të TVSH-së, Rrapaj: Pasojat dhe alternativat për zgjidhjen e problemit

Ulja e rimbursimit të TVSH-së për produktet bujqësore nga 20% në 6% duke bërë që diferenca prej 14% të rëndojë mbi prodhuesit, ka krijuar mjaft probleme. Fermerët kanë dalë në protesta duke hedhur produktet e tyre në rrugë. Lidhur me këtë temë kryetari i Këshilli të Agrobiznesit SHqiptar, Agim Rrapaj, i ftuar në TV Scan, ka folur mbi problemet e krijuara, reagimin e fermerëve dhe masat që duhen marrë për ta zgjidhur këtë situatë. Ai theksoi efekt e këtij ndryshimi ligjor, ku përmendi si pasojë rritjen e informalitetit, humbjen e gjurmueshmërisë dhe rritjen e pasigurisë ushqimore. Në këto kushte grumbulluesit do të drejtohen tek produktet e importit duke braktisur prodhimet vendase. Kryetari i KASH paraqiti edhe alternativat e mundshme për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.

Intervista e plotë

Në çfarë situate ndodhet sot një prodhues apo grumbullues për shkak të ndryshimeve ligjore? 

Situata është tensionuar dhe reagimi ishte i pritshëm. Ky ndryshim është bërë pa u studiuar terreni, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa bërë një studim të mirëfilltë mbi pasojat e mundshme, si pasojë ne sot ndodhemi përballë kësaj situate, e cila nuk është më e keqja. Që të ndryshojë një paketë fiskale apo ndryshimi i ligjit mbi TVSH-në, duhej bërë një studim mjaft i gjerë dhe duhej konsultuar me grupet  e interesit në mënyrë që të gjendej një zgjidhje për të gjitha palët. Ne kemi qënë kundër një ndryshimi të tillë. Ministria e Financave duhet të bashkëpunonte me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjë e cila nuk ka ndodhur. Ligjvënësit para se ta miratonin këtë masë duhet të diskutonin në komisionet përkatëse me grupet e interesit. 

Pse është nxituar për të miratuar një ndryshim të tillë ligjor? 

Arsyeja për ne mbetet e pazbuluar. Ka indicie duke menduar që fermeri nuk merrte 20% të TVSH-së nga grubmulluesi. Kjo masë prej 6%,  që është sot në fuqi ka qënë edhe më parë. Arsyeja pse bëhet ky rimbursim është që ky sektor të formalizohet, produktet të shiten, mundësia për të lidhur kontrata të bëhet më e madhe dhe nga ana tjetër ne të kemi mundësi të evidentojmë të gjithë produktin. Ne sot jemi në një situatë që ky 14%, nga grumbulluesit nuk mund t’u kalojë fermerëve. Fermerët janë në një situatë që nuk kanë asnjë hapësirë për të ulur çmimin e shitjes së produkteve të tyre. Fermerët po reagojnë me të drejtë, pasi edhe argumentat që jepen nuk janë argumenta bindëse për ta. Edhe masa për heqjen e TVSH-së për inputet nuk ka asnjë ndikim tek blegtorët, pasi 75% e shpenzimve të blegorëve që prodhojnë qumësht nuk janë prekur fare nga masa për inputet, mbetet vetëm një 25 %, por edhe kjo masë nuk është parë ende pasi do një kohë për t’u realizuar. 

A ka një kategori që përfiton nga ndyshimet në paketën fiskale? 

Ka një kategori që përfiton dhe në rastin konkret do të përfitojnë importuesit, do të përfitojnë produket e subvencionuara në vendet e tjera që janë me një kosto më të lirë sesa prodhimet tona dhe në këto kushte do të përfitojnë ata grumbullues të cilët nuk kanë blerë produkte vendi deri më sot. Tendenca për të përfituar është më e lartë tek importuest sesa për ata të cilët kanë lidhur marrëveshje me fermerët.

Do të ketë ulje të prodhimit vendas? 

Patjetër që do të ketë ulje të prodhimit vendas dhe probleme të tjera që lidhen me investimet e bëra nga grumbulluesit. Këtu kemi lindjen e konfliktit, fermerët tashmë të detyruar po u bashkohen grumbulluesve pasi nuk kanë rrugëzgjidhje sepse deri më sot kishin mundësi ta shisnin produktin e tyre.  Në vitin 2013 ishin vetëm 6 mijë ferma të formalizuara ndërsa sot janë 41 mijë ferma dhe i vetmi mekanizëm ekonomik ka qënë TVSH-ja. Tani kjo vlerë e fermave të formalizuara do të ulet pasi nuk u nevojitet më NIPT-i. Me 6% rimbursim TVSH-je  nuk kanë interes.

Cili sektor ndodhet  tepë vështirësi nga këto ndryshime ligjore? 

Të gjithë ndodhen në vështirësi, në radhë të parë përmendim blegtorët. Importi i qumështit dhe i nënprodukteve, i mishit dhe nënprodukteve të tij janë ndër ushqimet bazë dhe importoheshin rreth 200 milion euro në kohën që ishte rimbursimi prej 20%, aq më tepër tani. Edhe gjithë produktet e tjera janë të diskriminuara në raport me produktet që importohen dhe janë të subvencionuara nga jashtë vendit. 

Ka filluar reagimi në treg me aq sa ju keni vëzhguar deri tani? 

Ka filluar reflektimi dhe realisht ka filuar me një reagim të fortë te fermerëve, njëkohësisht me tërheqje të grumbullesve nga tregu vendas. Të gjitha këto së bashku të çojnë në një kolaps, janë humbje dhe ditët e protestave apo produktet që po hidhen në rrugë. Problemi është që do të rritet informaliteti, duke sjellë më shumë shqetësime përsa i përket sigurisë ushqimore. Do kemi përsëri fermerë që do të duan të shesin drejtëpërdrejtë në treg dhe jo përmes grumbullimit. Në këtë mënyrë do të humbasim gjurmueshmërinë.  Tre janë zgjidhjet që paraqiten në këtë rast.  E para është kthimi në rimbursimin prej 20%, zgjidhja e dytë ka të bëjë me unifikimin 6% në shitje dhe 6% në blerje, ashtu siç e ka edhe Europa. Elementi i tretë është që të vendoset një 14% barrierë për të gjitha produktet vendase që importohen dhe konkurohen në mënyrë të padrejtë nga produktet e subvencionuara në vendet e tjera. Në këto kushte jemi të detyruar të gjejmë një ndër këto zgjidhje.  Problemit i jepet zgjidhje duke qënë të unifikuara shoqatat e biznesit, vetë fermerët, grumbulluesit dhe deri tek konsumatorët. 

A kanë akses për të përfituar nga subvencionet fermerët e vegjël, pasi duket sikur kemi një ulje të subvencionit? 

Unë nuk shoh problem uljen e fondit të programuar, pasi këtë vit kemi më shumë se çdo vit tjetër. Problemi qëndron tek disbursimi i fondeve dhe jo tek programimi. Kemi më shumë fonde pasi kemi programin IPARD, fondet e GIZ SARED –it të cilat janë të konsiderueshme, kemi më shumë se 4 milion euro nga skemat e subvencionit, programin “100 fshatrat”, etj.

Problem mbetet disbursimi dhe ne krijojmë këto barriera, këto konflikte të cilat na pengojnë më tepër disbursimin. Masat që duhen marrë janë thënë disa herë. Së pari duhet bërë pajisja me çertifikatat e pronësisë, në zonat rurale nuk kemi të stabilizuar dhe të azhornuar sipërfaqen e tokës e cila është baza, së dyti duhet të evidentojmë të gjitha asetet që kemi, kemi mbi 9000 traktorë të paregjistruar. Nuk po punojmë për mbrojten e mjedisit, me këtë çmim nafte dhe energjie nuk mund të tërheqim investitorët. Element tjetër negativ është ndërhyrja që u bë tek rimbursimi i TVSH-së dhe në paketën fiskale në tërësi, ku mund të marrim si shembull edhe rritjen e
çmimit të plastmasit për serat ku nuk është dhënë një shpjegim dhe nuk është ndërhyrë për ta rregulluar. 

Për pjesën e subvencioneve  çfarë masash duhet të merren që këto fonde të shkojnë tek fermerët? 

Kemi bërë disa propozime konkrete. Një pjesë e mirë e fermerëve janë përjashtuar për shkak të mungesës së çertifikatave të pronësisë. U kërkohet blegtorëve çertifikatë pronësie për stallat, gjë e cila është mjaft e vështirë pasi ata i mbajnë ato vetëm 2 muaj dhe nuk ndërtojnë stalla që mund të çerifikohen. Këta janë të përjashtuar nga subvencioni dhe sidomos nga IPARD-i. Elementi i dytë ka të bëjë me mënyrën e ndërtimit të dosjeve të aplikimeve apo mosformalizimi i fermave.

Ne kemi propozuar masa konkrete për formalizimin e fermerëve, kjo përmes kartës elektronike, futjen e regjistrit elektronik dhe ashtu siç është QKB-ja, të kemi një qendër vetëm për regjistrimin e fermerëve. Në këtë mënyrë do kemi mundësinë që sektorin ta bëjmë të krahasueshëm me vendet e tjera. 

A pritet të merret në konsideratë kërkesa juaj për ngritjen e një qendre kombëtarë për fermerët siç është ajo për biznesin? 

Ne këto ditë jemi në pritje për ta diskutuat me ministrin Çuçi dhe me ministren Denaj, kemi lënë në mes këtë diskutim. Vitin tjetër do të bëhet censusi dhe ne mendojmë të bëjmë një kombinim shumë të mirë të propozimit që ne kemi bërë dhe të censusit nga ana tjetër, për të pasur mundësi që të evidentojmë të gjitha asetet që këmi në zonat rurale. Kemi asete të pashfrytëzuara si rezultat i mungesës së kooperimit, mungesës së inovacionit dhe mekanizimit dhe kemi mundësi t’i shfrytëzojmë përderisa nuk i kanë braktisur të gjithë zonat rurale dhe t’u krijojmë mundësi atyre që duan të kthehen. Vetëm duke krijuar këtë terren kemi mundësi që të zhvillojmë bujqësinë, blegtorinë dhe zonat rurale në tërësi. Janë për t’u përshëndetur fondet që janë dhënë për programin “100 fshatrat”. Në këto 100 fshatra po krijohet një model, por duhet të ndryshojme drejtim kudo në zonat rurale, pasi nuk mund të vazhdojmë me bujqësinë tradicionale, por të futemi tek agroturizmi, tek mjedisi dhe përpunimi i produkteve tradicionale. Ne kemi kultivarë të jashtëzakonshëm që nuk gjenden në asnjë vend.

Kohët e fundit kemi një numër të lartë shqiptarësh që kanë lënë vendin apo kanë deshirë për tu larguar. A është vënë re kjo dhe në zonat rurale duke shtuar sipërfaqen e tokës djerrë? 

Ndryshimet që janë bërë i kanë dhenë një goditje tepricës së produkteve, nuk kemi pasur një zhvillim të qëndrueshëm të fermave tona. Kemi një problem shumë të madh, përsa i përket kooperimit në drejtim horizontal. Ne nuk po bashkohemi në bazë dhe nëse nuk konsolidohemi në bazë do të kemi vështirësi në kooperimin vertikal në mënyrë që të bëjmë zinxhirin e vlerës. Kemi mjaft lëvizje nga zonat rurale, lëvizje që po çojnë në rritjen e sipërfaqes së tokës djerrë dhe uljen e numrit të krerëve nga viti në vit. Kjo shpjegohet me mugesën e tregjeve dhe rritjen së kostos së produktit.

Negociatat për kompensimin e TVSH-së për fermerët, Rrapaj: Po shkojmë në një përplasje tregtare

Duket se po shkon drejt zgjidhjes shqetësimi i blegtorëve dhe femerëve të cilët dolën në protesta masive pas uljes së vlerës së kompensimit të tatimit mbi vlerën e shtuar këtë vit nga 20 në 6%.

Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim në Ministrinë e Bujqësisë ka propozuar një masë subvencionimi për prodhuesit e qumështit në 10 Lekë për litër, jo vetëm për qumështin e cilësisë së parë (i cili përfiton aktualisht), por për të gjitha kategoritë.

Kërkesa pritet të marrë miratimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Nëse edhe këtë herë nuk do të gjendet një zgjidhje, agropërpunuesit thonë se do të vazhdojnë bojkotin për të mos blerë më prodhime në tregun vendas.

Sipas kryetarit të Këshillit Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, përplasja po zhvendoset nga institucionale në një përplasje tregtare. Tashmë ata janë duke luftuar me importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tyre.

” Ne po shkojmë drejt një përplasje midis importuesve dhe prodhuesve vendas, ku me uljen e rimbursimit të TVSH- së fitues do të jenë importuesit.

Ai sqaron se edhe përjashtimi nga TVSH – ja për inputet në bujqësi nuk ka arritur të japë efekt në uljen e çmimeve të farave, fidanëve dhe plehrave kimikë, për shkak të stokut që kanë patur tregtarët, duke rrëzuar argumentimin e uljes së kostove për fermerët me këtë masë që ka bërë Ministria e Financave.

“Pavarësisht heqjes së TVSH-së nga inputet bujqësore
çmimet vazhdojnë të jenë të larta, pasi kompanitë kanë rezerva nga viti i kaluar dhe i kanë importuar me TVSH”,- sqaron Rrapaj.

Nëse situata nuk do të zgjidhet në datën 3 Prill, fermerë e blegtorë do të mblidhen në Lushnjë për të vazhduar protesta e nisura gjatë muajit të fundit.

Pakti për Universitetin, 1 milion euro për fermën e parë didaktike tek Bujqësori

Fondi prej 1 milion euro për ndërtimin e fermës së parë didaktike në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të aktivizojë një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar në funksion të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë në vend”.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama nga ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili ka përfituar 1 milion euro nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për fermën e parë didaktike.

Partneriteti qeveri-universitete në kuadrin e angazhimeve të Paktit për Universitetin, sipas Ramës, do të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet e universiteteve me shoqërinë dhe tregun.

“Sot bëjmë realitet plotësimin e nevojës shumë të vjetër për ndërtimin e fermës didaktike. Qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, me kërkesë të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, akordoi një fond prej 1 milion euro në dispozicion të universitetit, që ky i fundit të fillojë këtë ndërmarrje me interes shumëplanësh dhe të krijojë kompaninë e vetë, e cila të bëjë të mundur një ndërlidhje optimale mes punës shkencore dhe tregut”, tha Rama.

Duke nënvizuar rëndësinë që kjo qeveri i jep Universitetit Bujqësor, Rama tha se kjo është e 6-ta herë që viziton ambientet e këtij universiteti, ndërsa shprehu bindjen se “në 25 vitet e mëparshme të gjithë paraardhësit e mi të marrë së bashku nuk kanë ardhur as sa gjysma ime në 3 vjet”.

Kryeministri shprehu besimin se “këtu kemi një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar dhe kemi domosdoshmërinë ta vëmë këtë potencial jo vetëm në funksion të studentëve por edhe të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë në vend .

“Në të shkuarën ky universitet ka qenë një qendër ekselence që kishte edhe reputacion ndërkombëtar për nivelin e lartë shkencor. Sot është në fazën e një rilindjeje të vështirë, sepse vjen nga një periudhë e gjatë traumatike kur edhe bibliotekës iu vu zjarri, pa llogaritur gjithë territoret apo asetet që iu pushtuan apo grabitën duke e bërë me shumë kosto procesin e rilindjes së universitetit”, tha Rama.

Kostot, sipas tij, “kanë të bëjnë me nevojën për të paguar fonde të konsiderueshme për të marrë mbrapsht pronat e humbura padrejtësisht në procese zaptimesh, legalizimesh apo kompensimesh krejtësisht të padrejta dhe abuzive”.

“U desh të kalonin thuajse 3 dekada për të filluar çlirimin e Universitetit në pikëpamjen territoriale”, tha Rama.

Çuçi: Mbështetje biznesit dhe prodhimeve vendase

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaroi se në Strum të Roskovecit është ngritur një tjetër sipërmarrje e suksesshme për sektorin bujqësor. 

“Flavio FS” është një qendër grumbullimi, magazinimi dhe ruajtje e produkteve bujqësore për eksport. Fruta e perime nga qarku i Fierit dhe Beratit të mbi 400 fermerëve sillen në këtë pikë për të vijuar më pas rrugën drejt tregjeve europiane. Ne e kemi mbështetur këtë biznes me rreth 18 milionë lekë nga granti për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Presim që gjatë këtij viti volumi i shitjeve për eksport të rritet. Suksese dhe puna mbarë!”- shprehet Çuçi.

Taksa e re ngatërron bujqësinë, agropërpunuesit: Do blejmë vetëm prodhime importi

Ulja e rimbursimit të TVSH-së për fermerët nga 20 në 6 për qind që parlamenti miratoi me paketën e re fiskale ka krijuar një ngërç jo të vogël, për industrinë agro-ushqimore.

“Unë blej produkt nga fermeri vendas dhe qeveria nuk më njeh më 20 për qind TVSH në blerje, por vetëm 6 për qind. Por kur e shes produktin e përpunuar atëherë duhet të paguajë TVSH 20 për qind. Kjo është një taksë e pastër 14 për qind mbi xhiron”, tha Uran Derri, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.

Për të përballuar këtë barrë shtesë, agro-përpunuesit thonë se kanë dy rrugë; t’ia transferojnë koston fermerit ose konsumatorit final.

“Ose duhet të ulë me 14 për qind çmimin që i blej produktin fermerit ose duhet të rrisë me 14 per qind çmimin e shitjes per konsumatorin”, tha Uran Derri, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.

Por të dyja këto rrugë duken të pamundura, për shkak të konkurrencës që vjen nga importi. Ndaj industrialistët ushqimorë, thonë se po shqyrtojnë një zgjidhje tjetër. Ti blejnë produktet bujqësore në vendet fqinje, ku TVSH-ja u njihet 20 për qind.

“Nëse unë e marr domaten në Lushnjë me njihet 6 për qind. Nëse e marr në Maqedoni me njihet 20 për qind. E zhdoganoj dhe vazhdoj punën duke respektuar ligjin”, tha Uran Derri, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.

Qeveria e uli masën e kompesimit të TVSH-së për fermerët në 6 për qind pasi skema u kthye në abuzive. Paratë në vend që të përfundonin tek fermerët, në disa raste mbaheshin nga vetë tregtarët ose agro-përpunesit.

Për të kompesuar efektet negative të kësaj ulje mbi fermerët qeveria hoqi TVSH-në që ata paguajnë për inputet. Por skema e re kundërshtohet nga agro-përpunuesit që tashmë kërcënojnë se do I blejnë produktet bujqësore jo nga fermerët vendas, por nga ata fqinjë.

Ulja e rimbursimit për fermerët, KASH: Godet prodhimin vendas

Ulja e rimbursimit të TVSH-së për fermerët nga 20 % në 6%, kundërshtohet nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar. Ata e cilësojnë të gabuar këtë vendim, që sipas tyre ndihmon importuesit dhe dëmton prodhimin vendas. Kryetari i KASH, Agim Rrapaj, i pyetur në lidhje me këtë vendim tha: “Rimbursimi i TVSH-së me 6% nuk do të funksionojë.

Së pari sepse është provuar, së dyti nuk ka asnjë interes fermeri i paformalizuar që të formalizohet për 6% dhe së treti ata që kanë investuar në grumbullim për të blerë produkte nga ato vendase nuk do ta bëjnë më pasi u ngelet 14%, një shifër e konsiderueshme që do të përfshihet në kosto. Sipas Z. Rrapaj kjo është një goditje për prodhimin vendas ku do të rritet importi dhe do të ulet eksporti. Ai vijoi:

“Paguesi i vërtetë i 6% është konsumatori, nuk është as prodhuesi dhe as grumbulluesi. Ky zinxhir ndërpritet tek grumbulluesi dhe tek eksportuesi, prodhuesit i jepet 6%, ndërsa eksportuesit dhe grumbulluesit i kërkohet 20%. Në këtë rast ai 14% nuk ka ku shkarkohet, do ia lërë prodhimin pa marrë fermerit dhe do e marr në eksport ose do ngarkojë koston e produktit me 14%. Ne si KASH i jemi drejtuar kryeministrit për rishikim, do t’u drejtohemi të gjitha instancave, në të kundërt do përballemi me pasoja të rënda, si rritja e kostos dhe mungesa e shitjeve të prodhimeve të fermerëve”.

Shqipëria, mes kompanive lidere në tregun botëror të fruta-perimeve

Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, projektit të qeverisë zvicerane Risi Albania dhe GIZ, 15 kompani shqiptare ishin pjesë e panairit më të madh për tregtimin e fruta-perimeve, duke ekspozuar vlerat e produkteve shqiptare për të siguruar kontrata të reja.

Ndër këto kompani ishte dhe kompania “Doni Fruits” lider i eksporteve të frutave dhe perime Made in Albania.

Panairi shërbeu si një mundësi e mirë për kompanitë shqiptare për të takuar kompanitë e mëdha eksportuese, për t’u ballafaquar me kërkesat dhe nevojat e tregut sa i takon cilësisë së produkteve.

Kompanitë shqiptare të përfaqësuara nga kompani që eksportojnë fruta-perime si gështenja, mollë, domate, speca, tranguj, hudhra, shalqi etj., realizuan rreth 200 takime me blerës potencialë, me ofrues të teknologjive të përpunimit, paketimit dhe ruajtjes së fruta-perimeve.

Kompanitë patën mundësinë për t’u njohur me kërkesat e tregjeve me vlerë të lartë, si Gjermania, Austria, Zvicra etj, ku një nga certifikimet e kërkuar shpesh është GlobalG.A.P, certifikim i cili është krijuar nga rrjetet e supermarketeve të mëdha në Europë. Disa prej përfaqësuesve të kompanive të mëdha që furnizojnë rrjetet e supermarketeve shprehën interes për të vizituar Shqipërinë së shpejti.

Pjesëmarrja në panair, përgatitja dhe potenciali i kompanive ka ardhur drejt përmirësimit. Së shpejti kompanitë do të takohen së bashku për të diskutuar mësimet e nxjerra, përmirësimet e mundshme që mund të bëhen në panairin e radhës.

“Kompanitë dhe fermerët shqiptare duhet të certifikohen dhe të rrisim standardet e produkteve për të qenë konkurrentë në treg. Eksportet shqiptare po rriten nga viti në vit në sasi dhe ne duhet të punojmë me plane afatgjata që do të orientojnë zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke investuar në cilësi dhe marketing për të siguruar edhe rritjen e fitimeve për fermerët”, – u shpreh zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote.

Mbi 3200 pjesëmarrës nga 90 vende të botës që nga prodhuesit, deri tek tregtarët, prezantuan në këtë panair prodhimet, shërbimet dhe zgjidhjet teknologjike që ofron sot ky sektor.

Në këtë drejtim projekti RisiAlbania po mbështet Agrobiznesin për të inkurajuar certifikimin në grup të produkteve të tyre. Nëpërmjet certifikimit GLOBALG.A.P hapen mundësi shumë të mira për fermerët për t’u bërë pjesë e zinxhirit furnizues të BE-së.

Paketa e re fiskale, Rrapaj: Vështirësitë që e bëjnë të paaplikueshme

Paketa fiskale e vitit 2019 ka hyrë në fuqi prej daës 1 janar. Janë përjashtuar nga TVSH-ja shitja e makinerive bujqësore por nga ana tjetër zbatimi është i vështirë për shkak të moskoordinimit të institucioneve kompetente. Në lidhje me paketën e re fiskale, vështirësitë që kanë fermerët por edhe subjektet që furnizojnë fermerët ka folur edhe kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqipar, Agim Rrapaj, në një intervistë për FAX News. Ai theksoi që ka disa mospërputhje midis shkrimit dhe intepretimit të ligjeve, kjo e bën më të vështirë zbatimin e tyre. Ai u shpreh se informimi, shqyrtimi i problemeve dhe diskutimi i tyre është thelbësor para marrjes së një vendimi.

Mund të na thoni arsyet se pse paketa fiskale nuk po arrin të jetë efektive?

Ky është një shqetësim real që ka lindur mbas ndryshimeve të bëra. Është për t’u vlerësuar heqja e TVSh-së për makineritë dhe mjetet bujqësore, pasi më parë funksiononte vetëm për fermerët që importonin drejtëpërdrejtë, ndërsa tani janë edhe të tjerë subjekte që mund të përfitojnë. Nga kjo pikëpamje menduam se do të hynte në fuqi ky vendim së bashku me paketën fiskale, por nuk ndodhi. U detyruam që t’i drejtoheshim parlamentit për të bërë një sqarim. Me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ishim në akordancë pasi ishte përcaktuar heqja e TVSH-së për ata që importonin makineri buqësore, por nga ana tjetër Drejtoria e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të kishte nxjerrë udhëzimin përkatës se si do të veprohej me stoqet, të cilat ishin blerë me TVSH dhe do të udhëzoheshin sesi do të shiteshin, me TVSH apo pa TVSH. Në një takim të disa ditëve më parë me Komsionin Parlamentar të Prodhimtarisë dhe Mjedisit, u bë edhe një ballafaqim edhe midis Ministrisë së Financave, dhe Ministrisë së Buqësisë dhe Zhvillimit Rural. Kuptuam që kishte një paqartësi, një moskoordinim dhe një interpretim ndryshe të vendimit. Ajo që konstatuam si pozitive te ligjvënësit, ishte se ata ishin të qartë për heqjen e TVSH-së për të gjitha mjetet dhe makineritë bujqësore, ndërsa në ligj është shkruar vetëm për makinat bujqësore. Ka një mospërputhje midis asaj që është shkruar nga ligjvëvësit dhe interpretimit që bëhët nga organet kompetente. Nga debati u arrit në konkluzionin që organet kompetente do të gjejnë të gjitha mundësitë që ligji lejon, dhe vullneti i ligjvënësit ishte i tillë që makineritë bujqësore dhe mjetet e përcaktuara sipas listës dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, të kishin mundësi të zbatohej ky ligj edhe për fermerët që blinin makineri bujqësore. Këtu lindën disa probleme. Disa ishin të mendimit se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk lejohet të shitet me TVSH, po nuk u jepej zgjidhje problemit se ç’do të bëhej me TVSH-në që është paguar dhe kush do ta përballonte, ku u diskutua nëse do ishte përgjegjësi e vetë subjektit apo mund të rimbursohej. Për këtë nuk u gjet zgjidhje, u dha një mendim që do të blinin pa TVSH, vetëm fermerët të cilët janë të pajisur me NIPT, por ligji nuk paraqet një ndarje për fermerin me NIPT apo pa NIPT.

Dua të theksoj se Komisioni i Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit veproi në një mënyrë mjaft operative, të saktë, duke caktuar një nga deputetet që të ndiqte problemin, i cili kreu takim me grupet e interesit ku u sqaruan të gjitha problematikat që u lanë pa zgjidhje dhe u vendos që të gjitha institucionet e ngarkuara në këtë proçes të raportojnë tek ai në ditët në vijim. Ne do të bëjmë përsëri një takim të fundit mbi këtë çështje.
Këto probleme lindën për shkak të mungesës së dialogut midis grupeve të interesit përpara se të shkruhej ligji, në të njëjtën kohë edhe mosinformimi siç duhet nga ata që e shkruajnë ligjin. U luajt me termat makineri bujqësore dhe mjete bujqësire. Në terminolologjnë e përgjithshme fermeri nuk e bën këtë ndarje. Është e nevojshme që para se të vendoset një ligj duhet diskutuar mbi problemet. Edhe tani nuk është vonë, ne shpresojmë të zgjidhet dhe fermerët mund të përfitojnë nga lehtësirat e paketës fiskale.

Në diskutimet e bëra nga deputetët u tha se pajisjet bujqësore t’u shiten pa TVSH fermerëve të pajisur me NIPT për të pasur një formalizim të tregut. Pse fermerët nuk munden të kenë një NIPT?

Ne si KASH, kemi mbështetur fort formalizimin e bujqësisë, pasi besojmë që vetëm fermerët e formalizuar do të mund të realizojnë një bujqësi intensive, efiçente dhe një bujqësi të së ardhmes. Pse fermerët nuk e marrin NIPT-in? Kjo për disa arsye, ku e para është që ka një proçedurë që shumë nga fermerët nuk e kanë mundësinë ta ndjekin. Duhen përgatitur një sërë dokumentash, si çertifikata e pronësisë, dokumenti mbi veprimtarinë dhe mjaft dokumentash të tjera që garantojnë shlyerjen e detyrimeve nga fermeri. Nuk është një proçes i vështirë, por jo të gjithë kanë mundësinë për ta realizuar.
Problemi i dytë është veprimatria sezonale, apo që fermerët prodhojnë për vetëkonsum dhe nuk kanë teprica për të shitur, këtyre nuk u intereson pajisja me NIPT.
Elementi tjetër ka të bëjë me moshën e fermerit. Një pjesë e fermerëve kanë dalë në pension dhe pajisja me NIPT shoqërohet me heqjen e pensionit .
Shumë nga fermerët që marrin NIPT-in ngarkohen me shumë taksa që ata mendojnë që nuk mund t’i përballojnë. Aktualisht ata nuk po e ndjejnë leverdinë që ka NIPT-i, kjo është puna që duhet të bëjnë institucionet publike, të bindin fermerët mbi avantazhet e marrjes së NIPT-it. Kjo nuk mund të bëhet me forcë, ndaj duhet bërë në forma të tjera. Ne kemi propozuar disa mënyra të tjera të formalizimit, kryesorja është krijimi i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor. Fermerët mund të bashkohen dhe të kenë një NIPT, kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin.

A është pranuar ky sugjerim i juaji?

Ne bëmë një takim me ministrin Çuçi dhe i shtruam disa nga problemet, ai na la një takim të dytë. Duhet të gjejmë leverdinë reciproke për pajisjen me NIPT. Nëse fermeri nuk humbet asgjë nga mospajisja me NIPT, ai nuk ka interes. Ky është një problem që zgjidhet me dialog midis përfaqësuesve të fermerëve dhe institucioneve publike. Ne po punojmë fort që koncepti i formalizimit të futet dhe të bëhet i pranueshëm nga të gjithë fermerët.

Cilat janë disa nga sfidat që i lindin fermerit në lidhje me paketën e re fiskale?

Problem më vete është ndryshimi i shpeshtë i paketës fiskale, duhen paraprirë efektet negative që ajo mund të ketë. Heqja e TVSH-së së inputeve bujqësore ishte pozitive, pasi ul koston, por kjo u kombinua me uljen e rimbursimit TVSH-së për prodhimet vendase me 6% . 
Ky mbetet një problem pa zgjidhje, produkti vendas do ngelet pa u shitur, fermerët nuk do të punojnë tokën dhe në të njëjtën kohë dhe gjithë pasojat do t’i përballojnë ata që e bënë këtë masë të pa studiuar dhe pa u konsultuar.

Mund të themi se kjo masë është bërë për të rritur importin, pasi çmimet e importit shpesh po konkurojnë ato vendase?

Ju mund të dyshoni, por pa pasur prova nuk mund të flas. Eksportuesit dhe importuest janë inteligjentë dhe do të veprojnë në bazë të fitimit që mund të kenë. Këtu do të përmendja fjalët e një prodhuesi të rëndësishëm të rrushit i cili u shpreh se nuk i interesonte më të merrej me vreshtin e tij por të importonte. Rimbursimi me 6% nuk ka funksionuar, problemet që lindën nuk duhet të çonin në këtë masë ekstreme. Ne kur marrim një vendim duhet bërë një analizë e thelllë, për të parë shkaqet dhe pasojat e mundshme.

Çmimet e larta të fruta – perimeve në treg, Rrapaj: Ka ndikuar kostoja e lartë e prodhimit dhe mungesa e organizimit të fermerëve.

Prej më shumë se dy muaj qytetarët janë përballur me një rritje të produkteve bujqësore në tregje duke bërë që shpenzimet e tyre për frutat dhe perimet të jenë më të larta.

Sipas kryetarit të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar rritja e çnimeve ka ardhur si pasojë e rritjes së kostos së prodhimit dhe mungesës së organizimit të fermerëve.

Rrapaj: “Fermerët tanë e kanë të vështirë që të lidhin kontrata afatgjata me grumbulluesit dhe ata që shesin produkte. Fundi i vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019 ka ardhur me një mungesë pridhimi në treg. Çmimi në ekonominë e tregut përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Kostua e pridhimit vendas është e madhe. “

Ulja e rimbursimit të TVSH-së në 6% sipas kryetarit të KASH, do të sjellë pasoja serioze për fermerët. Ai u shpreh:

Rimbursimi me 6% nuk ka funksionuar as në qeverinë e mëparëshme, është e provuar. Grumbulluesit të cilët më parë ishin të interesuar për formalizimin e fermerit tashmë nuk janë më, pasi janë drejtuar drejt importit pasi ky 14%- sh u ngelet zbuluar.

Çmimet e ushqimeve në të gjithë botën janë rritur gjatë muajit Janar, nxitur nga rritja e çmimeve të produkteve bulmetore dhe vajrave bimore e sheqerit, sipas agjencisë së ushqimit të Kombeve të Bashkuara.
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), tregoi në indeksin e çmimit të ushqimit, që mat ndryshimet mujore për një shportë të drithërave, produkteve bulmetore, mishit dhe sheqerit, se ka pasur një rritje në 164.8 pikë, nga 161.8 që rezultoi në Dhjetor. Indeksi i produkteve bulmetore u rrit me 7.2% nga Dhjetori.

Sipas Organizatës, furnizimet e limituara të eksportit nga Europa, shkaktuar nga kërkesa e fortë e brendshme, ka sjellë këtë rritje. Indeksi i vajrave bimorë u rrit me 4.3% nga muaji i kaluar , ndërsa indeksi i çmimit të drithërave pati rritje me 1.3%. Çmimet e mishit në të gjithë botën kanë mbetur gjerësisht të pandryshuara. Organizata rriti projeksionet për prodhimin botëror të drithërave për 2018-ën në 2.611 milionë ton.

“Rritja e projeksioneve është lidhur kryesisht nga rritjet në Europë, ku moti përfitues ka ngritur perspektivën e të korrave”- deklaroi FAO.