Presidenti Biden plan për të nxitur konkurrencën në industrinë amerikane të mishit

Presidenti Joe Biden tha se administrata e tij do të miratojë rregulla të reja dhe një fond prej 1 miliard dollarësh për të mbështetur industrinë e mishit dhe fermerët. Këto masa do të ndërmerren në kuadrin e përpjekjeve për të zgjidhur problemin e mungesës së konkurrencës në këtë sektor të ekonomisë amerikane.

Presidenti Biden zhvilloi një takim virtual me fermerët dhe blegtorët të hënën për të parashtruar iniciativat për të ulur çmimet e ushqimeve, nëpërmjet rritjes së konkurrencës brenda industrisë së mishit.

“Kompanitë e mëdha po arrijnë fitime masive. Ndërsa iu rritet fitimi, edhe çmimet që shikoni në dyqane rriten në mënyrë proporcionale; ndërkohë që bie oferta që iu bëhet fermerëve për produktet e tyre. Kjo është pasqyrë e një tregu të prishur nga mungesa e konkurrencës. E kam thënë më parë dhe po e them sërish: kapitalizmi pa konkurrencë nuk është kapitalizëm. Është shfrytëzim. Këtë po shohim tani në industrinë e mishit dhe pularisë. Fermerët e vegjël dhe blegtorët e pavarur po falimentojnë; ndonjëherë janë biznese që kanë funksionuar me breza të tërë”, tha ai.

Presidenti Biden shtoi se administrata e tij do të sigurohet që prodhuesit e vegjël të mishit kanë mjetet që ju duhen dhe një treg të drejtë. Ai gjithashtu tha se administrata e tij do të luftojë për çmime të drejta për fermerët, blegtorët dhe familjet amerikane.

Një analizë e fundit e Shtëpisë së Bardhë konstatoi se katër kompanitë kryesore të prodhimit të mishit – Cargill, Tyson Foods Inc., JBS SA dhe National Beef Packing Co. – kontrollojnë nga 55% deri në 85% të tregut të mishit të derrit, viçit dhe të pulës.

Gjithashtu, Departamenti i Bujqësisë do të propozojë këtë vit rregulla për të forcuar zbatimin e legjislacionit përkatës dhe qartësimin e aplikimit të emërtimit “Produkt i Shteteve të Bashkuara”. Fermerët vendas thonë se kompanitë shumëkombëshe kanë fituar avantazh të padrejtë nëpërmjet rritjes së bagëtisë jashtë vendit dhe sjelljes vetëm në fund në thertoret në Shtetet e Bashkuara.

Lajmi i marre nga VOA