Ndihma për bujqësinë, ekspertët flasin për skemën e rimbursimit dhe kërkojnë unifikim të fermerëve

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, Ilir Pilku, ekspert për bujqësinë dhe në lidhje skype, Eduard Sharka kryetar i Sindikatës ë Fermërve të Bashkuar diksutuan në studion e Ilva Now problemet që shqetësojnë këtë sektor të rëndësishëm në vend.

Secili prej tyre kishte qëndrim të ndryshëm sa i përket vendimit për uljen e çmimit të naftës për bujqësinë dhe skemën e rimbursimit. Për z. Rrapaj ulja e çmimit të naftë është një nga ndërhyrjet që duhej bërë me kohë, pasi zë një pjesë të rëndësishme në koston e produkteve bujqësore, nxit formalizimin, shton dëshirën për të punuar.

“Është një skemë komplekse, kudo, në  çdo vend, ndaj s’duhet të kërkojmë gjithçka që në fillim, duhet të nisë me hapa gradualë”, tha z. Rrapaj.

Ndërkohë, për z.Sharka skema për rimburismin e naftës u konsiderua një nismë e dështuar pa filluar ende.

“Edhe për ne ishte shumë e mirëpritur, por mënyra se si do të implementohet është e gabuar, sepse në Shqipëri janë 300 mijë fermerë dhe vetëm 46 mijë janë të pajisur me NIPT. Nga skema përfiton vetëm një pjesë shumë e vogël. Kjo skemë nuk do t’i ndihmojë të gjithë”, tha ai.

Por ata ishin në një mendje kur u diskutua ligji për TVSH, i cili sipas ekspertëve duhet të ndryshojë.

Sipas z. Rrapaj, skema eTVSH 6 përqind me 20 përqind nuk po funskion ndaj duhet të shfuqizohet.

Ose do bëhet 6-6, 20-20 ose do unifikohet si në gjithë botën. Kjo ndërhyrje prishi tregun, nëse nuk ndërhyhet pasojat do të jenë negative në vijim”, tha z. Rrapaj.

Për z.Sharka, ky mekanizëm ka dëmtuar tregun e fruta-perimeve, që sot sipas tij është 90 për qind informal.

“Fermeri nuk ka përfituar kurrë nga ky menkanizëm, por ka dëmtuar tregun e fruta-perimeve dhe qumshtit në Shqipëri. Sot tregu i brendshëm i fruta-perimeve në Shqipëri është 90 për qind informal. Në parim TVSH e paguan konsumatori, në këtë rast shteti nuk ja merr konsumatorit, por tregtarit”, tha ai.

Për ekspertin e bujqësisë, z.Pilku kjo skemë është një artificë e madhe, një instrument që e gjetën brenda 1 ore për të amortizuar koston e inputeve.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre ishte ai për cilësinë e farërave për të cilën eksperët kërkuan një monitorim më të plotë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe nevojën për denoncim të çdo rasti që dëmton rëndë ekonominë  e fermerëve.