Ministria e Financave tërhiqet nga udhëzimi për bllokimin e llogarive bankare për ortakët dhe administratorët


Pas kundërshtimit të fortë që njëzëri 22 Shoqata të Biznesit dhe Dhoma të Tregtisë bënë për udhëzimin e procedurave tatimore, që sanksiononte bllokimin e llogarive bankare të ortakëve, aksionerëve dhe administratorëve, Ministria e Financave vendosi të tërhiqet dhe do të përmirësojë pikën 90.1 të tij.

“Udhëzimi nr.44 që vendoste arbitraritetin e administratës tatimore mbi llogaritë personale të ortakëve, aksionerëve dhe administratorëve u vendos të modifikohet”, sqaroi për Monitor, Kryetarja e BDHTISH-së, znj. Ines Muçostepa.

E iniciuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë (BDHTISH), në letrën drejtuar më herët ministres së Financave, Denaj, dhe ministrit për Mbrotjen e Sipërmarrjes, përfaqësuesit e sipërmarrjes theksonin se udhëzimi nr.44 krijonte arbitraritet dhe pasiguri në klimën e biznesit për investitorët e huaj.
Reagimi i shtohet kundërshtimi të mëparshëm të ekspertëve dhe shoqërive të konsulencës juridike, që e quajtën këtë ndryshim si antikushtetues dhe në kundërshtim me ligjin “Për procedurat tatimore” dhe “Për Shoqëritë Tregtare”.

Në udhëzimin e ndryshuar përcaktohej se nëse pas zbatimit të masave shtrënguese, duke përfshirë sekuestrimin dhe shitjen e pasurive, subjektet nuk shlyejnë detyrimet, shuma e papaguar i transferohet ortakut, aksionerit dhe administratorit.

Mospagimi i detyrimit në kohë, sipas procedurave të ndryshuara nga Ministria e Financave, penalizonte ortakun dhe administratorin e kompanisë, të cilëve do t’u bllokohen llogaritë dhe depozitat bankare.

“Pas zbatimit ndaj subjektit të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit (duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar),detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori.

 Për këtë qëllim, fillimisht administrata tatimore garanton mbledhjen e detyrimit nëpërmjet vendosjes së urdhër bllokimit mbi llogaritë dhe depozitat e ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve të subjektit dhe më pas zbaton ndaj tyre masat shtrënguese të mbledhjes me forcë të parashikuara në ligj. Edhe në këtë rast, urdhër bllokimi si masë preventivuese vendoset sipas procedurave të këtij udhëzimi”, thuhej në paragrafin e udhëzimit për lëshimin e urdhrave të bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit.