Rrapaj: Skema për reduktimin e çmimit të naftës duhet të shtrihet në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, i  ftuar  në emisioni “Pro Bussiness” në Tv Klan Plus është ndalur tek sektori bujqësor dhe premtimi i dhënë nga qeveria për reduktimin e çmimit të naftës për fermerët. Në këtë intevistë ai ka thënë se pritja ka qënë e gjatë dhe se është një masë e domosdoshme, jo vetëm për fermerët por për të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor. Ai theksoi se është e rëndësishme që kjo lehtësi të shoqërohet me një kuadër ligjor dhe të përfshihen të gjithë aktorët në zbatimin e saj.

Karburanti  zë një peshë të rëndësishme në koston e produktit ndaj zbatimi i kësaj skeme duhet të jetë sa më efiçent. Në buxhetin e vitit që vjen janë parashikuar 1 miliard lekë që do të mbështesin këtë skemë.

Intervista e plotë

Ka një premtim nga qeveria në lidhje me reduktimin e çmimit të naftës për fermerët, si është pritur ky lajm?

Reduktimi i çmimit të naftës për fermerët nuk është një premtim i ri. Pritja ka qënë e gjatë dhe kërkesa e vazhdueshme, pasi është një masë e domosdoshme, jo vetëm për fermerët por për të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor. Deri tani jemi njohur me parimet e realizimit të kësaj skeme të cilat janë të pranueshme nga ne si KASH. Parimi i parë shumë i rëndësishëm është që naftën do e marri drejtëpërdrejtë fermeri, së dyti është përdorimi i teknologjisë dixhitale, së treti është thënë që do jetë gjithëpërfshirëse dhe më  e rëndësishmja është që në buxhetin e vitit që vjen janë parashikuar 1 miliard lekë që do të mbështesin këtë skemë. Kjo skemë nuk është e thjeshtë por është komplekse. E them këtë duke u nisur nga mënyra si do të zbatohet, pasi është një skemë e re dhe si e tillë ka vështirësitë e veta, Nëse nuk përfshihen të gjithë aktorët në zbatimin e saj, do të jetë e vështirë që të realizohet. Karburanti zë një peshë të rëndësishme në çmimin e produktit dhe është katalizatori kryesor në punimin e tokës. Duke u nisur nga teknologjia e vjetëruar bujqësore që ne kemi, një sipërfaqe e madhe tokash ka ngelur pa punuar.

A do t’i nxisë ky premtim fermerët drejt formalizimit dhe paisjes me NIPT?

Formalizimi kërkon edhe disa kushte të tjera për t’u realizuar. Ajo çfarë mungon është paisja e fermerëve me certifikatat e pronësisë dhe kushti i dytë janë përmirësimet ligjore, sidomos për mekanizatorët. Mekanizatorët janë një element i rëndësishëm mbi të cilën mund të veprohet dhe të mirëmenaxhohet e gjithë kjo sasi nafte që jepet nga qeveria.

Në periudhën e pandemisë u duk se bujqësia ishte sektori i cili reagoi me mirë. A është ky një mesazh i fortë i qeverisë për ta pasur në fokus?

Unë do e shikoja në tre këndvështrime këtë performancë. Në parashikimet që kanë bërë fermerët, krahasuar me plan bizneset që ishin bërë, ne patëm një ulje të konsiderueshme. Nuk u arrit ajo pritshmëri. Kjo ishte e natyrshme pas tërmetit, dëmeve që u shkaktuan, e cila hoqi vëmendjen nga bujqësia. Kemi avantazhin që nga Bashkimi Europian janë miratuar një sasi fondesh të konsiderueshme dhe të gjithë duhet të punojmë për t’i disbursuar.  Pastaj përmendim edhe pasojat që pati në bujqësi nga COVID-19, sidomos në dy javët e para. Kohën e fundit patëm probleme në bujqësi të shkaktuara nga breshëri, sidomos në jug të vendit. Pati dëme në agrume, vreshta dhe ullinj. Dëmi ka arritur në 30% të prodhimit dhe kjo do të sjellë mangësi në prodhimin vendas.  Probleme patëm edhe me prodhuesit e rrushit pasi nuk u arrit të shitej edhe vera e vitit të kaluar për shkak të pandemisë.

Ka dal në pah një fenomen që nuk ka qënë i vlerësuar më parë, zinxhiri ushqimor. Duhen vlerësuar të gjithë sektorët, jo vetëm bujqësia dhe fermerët. Blegtora ka potenciale të jashtëzakonshme por  ka pësuar një ulje të numrit të krerëve kohën e fundit. Dua të përmend Shoqatën e Insiminimit Artificial, e cila po bën një punë shumë të mirë. Pra, duhet vlerësuar çdo hallkë e zinxhirit ushqimor, si blegtoria, agrobiznesi, qëndrat e grumbullimit, akuakultura, mjedisi, agroturizmi, bletaria, tregjet blegtorale dhe mikrofinanca.

Nëse këto hallka do të shihen sipas një programi të planifikuar, efiçenca do të jetë më e madhe. Gjithashtu ulja e rimbursimit të TVSh-së ka ndikuar negativisht.

Cili sektor ka performuar më mirë?

Sektori bujqësor ka performuar më mirë. Në kemi potencial tek perimet, për të plotësuar kërkesat brenda vendit por edhe për eksport. Tashmë ka ardhur koha që të hedhim sytë edhe nga agropërpunimi pasi në periudhën e vështirë që kaluam nuk kishim ku të çonim prodhimin. Prodhimi i freskët reziston 5-7 ditë maksimumi, nëse ne nuk e përpunojmë apo nuk kemi kapacitetet frigoriferike është shumë e vështirë. Një element i rëndësishëm është edhe certifikimi dhe ambalazhimi. Në marketet tona ato produktet të cilat mund të jenë shumë të shijshme dhe brenda standateve nuk mund të gjejnë vend nëse nuk mund të jenë të certifikuara apo të ambalazhuara siç duhet. Në këtë mënyrë paksojmë importin dhe rritim shitjen e prodhimeve vendase.

Një mbyllje e vendit në të ardhmen çfarë do të sillte për bujqësinë?

Ajo që duhet të bëjmë është të përgatitemi, duke parë se cfarë nuk shkon në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor. Përgatitja është e domosdoshme dhe duhet kohë, pasi nuk realizohet për 24 orë.

A po i hedh rinia sytë nga bujqësia në këtë periudhë?

KASH ka bërë një propozim konkret për përfshirjen e rinisë në skemën e shpërndarjes së naftës. Shumë familje fermere janë të moshuara dhe nuk e kanë mundësinë e përdorimit të teknologjisë apo të aplikacionit e-albania.  Asistencën më të mirë mund ta japin universitetet, të rinjtë. Ne kemi bërë një propozim konkret për përfshirjen e të rinjve që ata të arrijnë të kuptojnë potencialin e bujqësisë. Kemi bërë nje marrëveshje  bashkëpunimi me shoqatat simotra në mënyrë që të ofrojmë një propozim konkret për përfshirjen e të rinjve. Dua të përmend edhe një donator të rëndësishëm, që ka punuar dhe punon për të rinjtë siç është Risi Albania. Ata kanë punuar vazhdimisht për të qënë krah nesh, krah të rinjve  por edhe grave për realizimin e planeve të biznesit sa më efiçente.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *