Kryetari i KASH, Rrapaj: Tashmë bujqësia është orientuar drejt cilësisë, kërkojmë mbështetje për çdo hallkë të zinxhirit ushqimor

Tashmë jemi në një situatë ku Covid – 19 ka prekur shumë sektorë të ekonomisë. Por si ka qënë ecuria e sektorit bujqësor në këtë periudhë, si ka vijuar puna dhe cilat janë disa nga pengesat me të cilat u përballën fermerët? Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, në një intervistë për Fax News foli për rezultatet në sektorin bujqësor gjatë kësaj periudhe, eksportet, problemet e fermerëve dhe kërkesat e parashtruara për të ardhmen. Kërkesat e paraqitura janë për kooperimin dhe kordinimin, mekanizimin, dixhitalizimin dhe inovacionin, financimin si edhe ndryshimet në legjislacion. Ai përgëzoi mbështetjen që dha qeveria prej 400 milion lekësh të reja dhe prej 21 janarit të vitit të ardhshëm pritet shpërndarja e karburantit për fermerë me çmim të reduktuar. Ai theksoi se tashmë vëmendja nuk është vetëm tek rritja e prodhimit, parësore është të prodhojmë me cilësi, por kërkohet vëmendje në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor.

Kemi rezultate të matshme për sektorin bujqësor në këtë periudhë pandemie?

Po, kemi rezultate të cilat janë të matshme. Duhet pasur parasysh që është sektori më i rëndësishëm për furnizimin me ushqime dhe sigurisht ata që punojnë kanë pasur ndërgjegjësimin dhe detyrimin për të punuar. Ky sektor duhet vlerësuar në të gjitha aspektet, pasi kur flasim për ushqimin, kemi parasysh bujqësinë, blegtorinë, peshkimin dhe akuakulturën, agrobiznesin me qëndrat e grumbullimit dhe përpunimit, bimët medicinale, bletarinë, agroturizmin dhe mjedisin, si edhe mikrofinancën. Të gjitha këto hallka të zinxhirit ushqimor kanë funksionuar dhe kjo ka dhënë rezultatet e veta. Pavarësisht nga pasojat e tërmetit apo pandemia, bujqësia ka ecur në drejtimin e duhur. Në 6-mujorin e parë të këtij viti ka pasur 4.5% eksporte më shumë sesa në të njëjtën periudhe vitin e shkuar. Kjo rritje e eksporteve erdhi si rezultat e rritjes së prodhimit apo kërkesave nga tregu i jashtëm?Kemi pasur një kombinim të rritjes së prodhimit por edhe të kërkesës nga tregu i jashtëm. Dua të theksoj punën që ka bërë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për linjat e gjelbërta, për hapjen e eksportit. Janë kryer disa takime të ministrit Bledi Çuci me homologët në rajon por edhe më gjerë, në mënyrë që linjat e gjelbërta të operojnë pa pengesa. Në të njëjtën kohë kanë ndikuar edhe marrëdhëniet e mira që ne kemi pasur me Kosovën, duke punuar për t’i përballuar vështirësitë së bashku. Në periudhën që kemi kaluar ka pasur një vëmendje të shtuar përsa i përket standarteve dhe cilësisë së prodhimit. Këtu janë angazhuar që të gjithë por do të veçoja punën e Inspektorit të Përgjithshëm të Kontrollit, Shkëlqim Hajdari, i cili është angazhuar shumë duke vëzhguar ata që nuk pranonin të punonin në linjën e duhur. Në këtë periudhë ne nuk patëm asnjë kamion të kthyer nga vendet e tjera pasi cilësia në treg ka qënë shumë e mirë. Kjo është e veçanta e kësaj periudhe, si rezultat i kujdesit të shtuar për cilësinë. Sigurisht që ka pasur edhe probleme. Psh. rritësit e qengjave dhe kecave nuk arritën të shisnin aq sa donin si pasojë e mbylljes së subjekteve për shkak të pandemisë, e njëjta gjë ndodhi edhe me peshkun. Një problem më vete përbën vreshtaria, pasi nuk është shitur vera e vitit të kaluar, si pasojë kemi sasi të madhe gjendje. Me vjeljen e rrushit në shtator do shfaqen probleme për shkak të mungesës së depozitave dhe fondeve të mjaftueshme. Ministria e Buqësisë dhe Zhvillimit Rural duhet të ketë në vëmendjen e vetë se çdo bëhet me femerët që tregtojnë rrush, pasi janë 10700 ha vreshta që do të vilen. Duhet të ndërhyjmë në mënyrë të tillë që të mos dëmtojmë arritjet e deritanishme, për të shmangur tregun informal dhe të ruajmë cilësinë. Vlen për t’u përmendur ndërhyrja që bëri qeveria prej 400 milion lekësh të reja mbështetje për fermerët, shtuar skemave kombëtare të subvencionit. Fermerët kur kanë bindjen që ka fonde ku ata mund të përfitojnë nisin të aplikojnë por edhe mënyra e aplikimit online bëri të mundur lehtësimin e procedurave.

Çfarë do të ndodhë me çmimin e karburantit të fermerëve prej 1 janarit të vitit të ardhshëm?

Ulja e çmimit të karburantit është një nga kërkesat më të rëndësishme që ne kemi bërë tek paketa e mbështetjes ekonomike – financiare për sektorin. Është ngritur një grup pune pranë Ministrisë së Financës, i cili drejtohet nga Këshilli i Investimeve, të cilët kanë bërë një punë shumë të mirë, por edhe një grup punë pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në të njëjtën kohë për formën e organizimit ka një impenjim edhe nga Këshilli i Ministrave përmes një kompanie hollandeze për formën e organizimit, sidomos për klasterat. Ne shohim një impenjim për koopermin dhe kordinimin, per mekanizimin, dixhitalizimin dhe inovacionin, financimin dhe presim se çdo të ndodhë për përmirësimin e legjislacionit. Përsa i përket kooperimit dhe kordinimit kemi premtime dhe lëvizje konkrete, ndërsa çështja e karburantit është shtruar për zgjidhje. Ka një bindje tek institucinet përkatëse se kjo është një ndër masat më të kërkuara nga fermerët. Si pozita dhe opozita kanë premtuar uljen e cmimit të karburantit për fermerët dhe nga 21 janari pritet furnizimi i fermerëve me karburant me çmim të reduktuar.

Mund të ketë vend për abuzime me çmimin e karburantit të fermerëve?

Tani është momenti i duhur për të ndërhyrë për çmimin e karburantit pasi kemi kaluar mjaft vështirësi, si pas tërmetit të 26 nëntorit dhe po kalojmë edhe pandeminë. Në një kohë që vendet e tjera e kanë realizuar, tani është momenti dhe mundësia që ne ta bëjmë, pasi janë të gjitha kushtet që të mos abuzohet. Mënyra dixhitale e shpërndarjes së karburantit është një mënyrë që të jep garanci, por edhe ndërgjegjësimi i fermerëve për riskun që ka ndërprerja e skemës është një element i rëndësishëm. Ana tjetër ka të bëjë me kapacitetin që ne kemi, pasi sektori privat dhe publik i ka të gjitha kapacitetet për ta përballuar këtë proçes. Tashmë kemi nga vendet donatore një mbështëtje për të përballuar pasojat e tërmetit prej më shumë se 1 miliard euro, por edhe kemi një mbështetje prej Bashkimit Europian për pasojat e Covid – 19 me shuma të konsiderueshme. Duke pasur këtë mbështetje nuk ka arsye që të mos perfshijmë mbështetjen me karburant për fermerët. Ne kemi bërë një propozim konkret prej tre mënyrash për të realizuar shpërndarjen e karburantit. Një mënyrë është përmes sektorit publik por sipas mendimit tim është e pamundur pasi nuk ka infrastrukturën e duhur. Realizimi me konçesion kërkon një kohë shumë të gjatë dhe mënyra e tretë është në sajë të bashkëpunimit të sektorit publik, privat dhe universiteteve. Jemi përqëndruar te skema e tretë pasi duket më e shpejtë, efiçente dhe më e kontrollueshme. Qeveria duhet të miratojë kushtin që menaxhimin ta bëjë drejtepërdrejtë përfituesi.

A mund të themi se do kemi një rikthim të dëshirës për të punuar tokën duke u nisur nga situata që po kalojmë me pandeminë?

Nëse nuk merren masat e duhura për çmimin e karburantit, mënyrën dhe formën e organizimit të fermave, mekanizimin, etj. do të jetë e vështirë. Nuk duhet të mendojmë që do punojmë tokën pa pasur mjetet e nevojshme, nuk do shtohet prodhimi nëse nuk kemi qëndrat e grumbullimit moderne për ambalazhimin dhe etiketimin. Nëse punohet për elementët, si kooperimi dhe kordinimi, dixhitaliziimin, mekanizimin dhe inovacionin, disbursimin e fondeve grand dhe përmirësimin e paketës ligjore që kemi propozuar atëhërë do të tërhiqen edhe investitorët. Sot kemi avantazh tek të ardhurat që merren për 1 mijë hektar. Shqipëria merr të ardhurat për 1 mijë hektar më pak se vendet e rajonit, edhe Izraeli merr 5-6 herë më tepër. Këtu është thelbi, pasi nëse do investojmë në këtë fushë ne do të kemi një zhvillim të bujqësisë dhe tërheqje të vëmendjes së fermerëve. Kemi shembuj të mirë por duhet ta zgjerojmë më tej. Është domosdoshmëri që fondet t’i orientojmë në të gjithë zinxhirin ushqimor pasi një hallkë e dobët do të dëmtojë qëllimin final. Qëllimi final është furnizimi i popullit me ushqime, duke ndihmuar në këtë formë edhe në përballimin më mirë të Covid -19.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *