Rimbursimi i TVSH-së dhe investimet në bujqësi/ Rrapaj: Konsoliduan pikat e grumbullimit dhe agropërpunimin

Pikat e grumbullit dhe industria agropërpunuese janë dy ndër hallkat kryesore të zinxhirit ushqimor në vend, të cilat vitet e fundit janë zhvilluar dhe konsoliduar dhe që nuk janë prekur nga situata e COVID-19.

Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, (KASH) Agim Rrapaj, në një intervistë televizive u shpreh se, “qendrat e grumbullimit nga 5 deri në 7 të tilla që ekzistonin në vitin 2005, sot numri i tyre është rritur në 224 në të gjithë vendin. Shifrat tregojnë se kjo hallkë e zinxhirit ushqimor është zhvilluar dhe forcuar”.

Në vitin 2014, theksoi ai, kësaj hallke iu shtua edhe një politikë lehtësuese fiskale që mundësoi rimbursimin e TVSH-së, për blerjen e produktit nga fermerët në masën 20%.

“Ky rimbursim rriti ndjeshëm solidaritetin midis qendrave të grumbullimit me fermerin prodhues dhe mundësoi rritjen e eksporteve dhe përpunimin në vend duke garantuar një furnizim normal të tregut me perime të freskëta bujqësore në kushtet e masave ndaj COVID-19”, – tha Rrapaj.

Gjithashtu vlerësoi ai, avantazhe të tjera që kanë mbështetur zhvillimin e sektorit, duke e konsoliduar atë në përballimin edhe të situatës së krijuar nga COVID-19, janë programet e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit dhe BE-ja.

“Programi IPARD Like, IPARDII dhe Skemat Kombëtare të Mbështetjes së Bujqësisë kanë adresuar mbështetje financiare për zbatimin e projekteve zhvillimore në këta sektorë”, – tha Rrapaj.

Ai vlerësoi mbështetjen e deritanishme dhe u shpreh për vazhdimësinë e skemave financiare dhe zgjerimin e tyre në të ardhmen.

Sipas tij, potencialet e qendrave të grumbullimit dhe investimet në fermë, mund të arrijnë të furnizojnë supermarketet e vendit me prodhime të freskëta vendi pa pasur nevojën e importeve për këto produkte.

Bujqësia shqiptare ka qenë i vetmi sektor që nuk ka pushuar asnjë sekondë së punuari gjatë pandemisë duke mos cenuar as prodhimin dhe as qarkullimin e mallrave bujqësore dhe duke garantuar furnizim të bollshëm të tregjeve të vendit me këto prodhime dhe eksporte në rritje.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *