KASH kërkon më shumë mbështetje dhe garanci për agrobiznesin në situatën e Covid-19

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar ka kohë që ka ngritur zërin  për problemet që po shoqërojnë bujqësinë, tani por edhe në të ardhmen. Covid -19 ka krijuar disa vështirësi për fermerët, blegtorët dhe peshkatarët duke hedhur dyshime për mënyrën se si do të vijojë situata në vazhdim.
Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, në intervistën e dhënë për emisionin “Pasditë me Xhaxhiun” në Fax News paraqiti kërkesat për një paketë masash në ndihmë të fermerëve, tregoi se çfarë duhet bërë për të parandaluar vështirësitë në të ardhmen duke evidentuar problemet e çdo grupi në risk. Ai ngriti zërin duke bërë thirrje për më shumë mbështetje financiare për fermerët.

Intervista e plotë

1.A është krijuar një paketë konkrete për fatin e bujqësisë gjatë periudhës së pandemisë së shkaktuar nga Covid – 19, por edhe më tej?

Sa mirë do ishte që të ishte hartuar një paketë e tillë, e cila do të inkurajonte të gjithë fermerët, të gjithë ata që janë në front të punës por edhe të luftës. Të luftës pasi ata ndeshen përditë me probleme të ndryshme në sektorët e zinxhirit ushqimir, por edhe probleme të shkaktuara nga Covid – 19.

2. Pse nuk ju kanë dhënë përgjigje në lidhje me këtë paketë? Çfarë u diskutua në takimin e zhvilluar me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi?

Ministri Çuçi paraqiti një situatë të bujqësisë për ato grupe që performojnë mirë. Ata justifikohen me faktin që bujqësia është sektor në punë dhe nuk asistojnë grupet  që janë në punë. Sipas ministrit po asistohen vetëm ata për të cilët puna është ndaluar me ligj.

3. Bujqësia, blegtoria dhe peshkimi duket se janë në vështirësi të mëdha në këtë periudhë. A mund të na thoni cilat janë kërkesat emergjente të secilit grup?

Ajo çfarë duhet të përmend për bujqësinë është që luhatjet ditore janë të rëndësishme dhe jo më ato javore. Në javën e parë të Covid -19 pati një ndalesë totale të të gjithë veprimtarive, e cila solli një humbje të konsiderueshme për dy produkte, kastravecin dhe luleshtrydhen. Një javë më vonë situata ndryshoi dhe u shoqërua me një rritje të çmimit. Bujqësia kërkon të punojë çdo ditë, t’i shërbejë bimës, të vjelë dhe të shesë çdo ditë. Në këtë periudhë që  flasim, jemi në periudhë vjeljesh dhe ato dy produkte, ishin dhe janë në pikun e tyre. Ne e ngritëm shqetësimin pasi kjo situatë krijohet edhe për produktet e tjera. Në këtë periudhë ne donim të krijohej një program dobiprurës për të gjithë, në mënyrë që të krijohej një bindje që pavarësisht nga Covid -19, ne nuk kemi për t’i hedhur produktet tona. Nëse ne nuk e vjelim një ditë luleshtrydhen, ajo nxihet dhe nuk vlen më për treg, e njëjta gjë edhe për kastravecin.


4. Cilat janë kërkesat bazë që KASH i paraqiti qeverisë?

Ne si KASH kërkuam që për hallkat e zinxhirit ushqimor që përfshijnë bujqësinë, blegtorinë, agrobiznesin me qëndrat e grumbullimit dhe të përpunimit, depot frigoriforike dhe tregjet, të hartohej një paketë e veçantë. Për të gjitha këto hallka duhet të kishte një garanci për blerjen e produkteve. Është një situatë mjaft e vështirë edhe për sa i përket financimit. Në momentin që një subjekt nuk shet, krijohen probleme në vjelje.  Fermeri do të mbjellë por ka mjaft vështirësi për të marrë lëndën  e parë. Në të njëjtën kohë kërkuam të kishim mbështetje financiare për të gjitha grupimet që janë në risk, për problemet që lindin nga Covid – 19, mbështetje që nuk u dha. Kjo na vë përpara shumë pikëpyetje dhe na dekurajon për ato se çfarë na pret.

5. Si e shpjegoni vendimin e Bankës së Shqipërisë për mospërfshirjen e fermerëve në mikrokredite?

Institucionet e mikrokredisë janë mjaft të rëndësishme dhe janë furnizuesi kryesor me kredi për fermerët. Fed Invest, i cili financon 70 mijë fermerë, është përjashtuar nga të gjitha lehtësitë dhe garancitë që japin për këto lloj institucionesh financiare për të përballuar situatën e Covid -19. Një nga kërkesat tona ishte që ky institucion financiar të mbështetej si gjithë të tjerët. Në një situatë që nuk ka shitje dhe fermerët kanë kredi për të paguar, të kishte një linjë kreditimi për të mbuluar interesat e këtyre fermerëve që punojnë. Ne kërkuam gjithashtu që të viheshin në punë depot frigoriferike, por për këtë duhet bërë paraprakisht  një analizë e tyre. Në një kohë krize patjetër që është është e nevojshme vendosja në punë e tyre.

6. Zoti Rrapaj, problematika të tjera na paraqet peshkimi. Ku bie këmbana e alarmit në peshkim?

Problemi i peshkimit ka ngelur ende pa zgjidhje. Peshkatarët, sidomos ata të akuakulturës janë në një situatë tepër të vështirë. Ka qënë një rastësi jo e mirë shfaqja Covid- 19 me periudhën e hedhjes së rasatit. Nëse ata nuk do të hedhin rasatin në muajin maj, atëherë nuk do të punojnë për dy vjet, do të jetë një falimentim për investimet që kanë bërë këto subjekte dhe një mungesë e mijërave ton peshk që i nevojitet tregut. Prandaj nevojiten depot frigoriferike dhe garancia sovrane ndaj këtyre subjekteve. Nëse do të vazhdojë kjo situatë do të ketë mungesa të produkteve në treg, në të ardhmen.

7. Sa po ndikon Covid – 19 në nivelin e eksporteve?

Eksporti ka vijuar normalisht, pasi në të gjitha vendet ku ne eksportojmë nuk kanë pasur prodhimet e tyre të freskëta. Por kemi pasur edhe vështirësi, psh. në Bullgari u bllokuan për katër apo pesë ditë kamionët tanë me perime të freskëta duke ndikuar në uljen e çmimit me 20 % – 25 %. Duhet të jemi të përgatitur të parandalojmë situata të tilla në të ardhmen, pasi tani pritet dhe një rritje e konkurencës.  Që të përballemi me konkurentët duhet të kemi një kosto më të ulët por edhe cilësi të mirë. Doja të bëja një thirrje që të punojmë sa më mirë, për të pasur produkte cilësore, për eksport dhe tregun vendas, duke pasur kujdes me spërkatjen dhe ruajtjen e karencës, të kemi parasysh standartet që kërkon eksporti, por dhe rregullat strikte për t’u mbrojtur nga  Covid – 19. Kemi një produkt jashtëzakonisht të mirë, ndaj duhet të ruajmë standartet në eksport.

8. Duke parë situatën që po kalon tani bujqësia, blegtoria dhe peshkimi, mund të bëni një parashikim se si do të vijojë mbas Covid -19?

Nëse nuk do të ndërhyjmë në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, që të ulim koston, të injektojmë në këtë moment fondet e duhura për të garantuar financimin e fermerëve, të garantohet vjelja në kohë dhe tregu, situata do jetë e vështirë.
Blegtorët janë në një risk mjaft të madh për shitjen e qengjave dhe kecave. Doja të bëja edhe një thirrje për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vaksinimin, në mënyrë që të parandalojmë sëmundjet infektive, për të mos përjetuar atë çfarë kemi përjetuar më parë.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *