Sfidat dhe propozimet e agrobiznesit përballë problematikave të krijuara për shkak të COVID-19

Masat e jashtëzakonshme dhe kufizimi i orareve ka bërë që të shohim radhë të gjata në qytete të ndryshme të vendit, jo në pak raste kemi parë luhatje çmimesh për shkak të kërkesës në rritje dhe situatës së krijuar nga koronavirus. E gjithë kjo është bërë një sfidë për institucionet dhe bizneset. Për këtë situatë dhe dëmet e krijuara nga koronavirus, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, ishte i ftuar në TV Scan, ku foli për problemet e krijuara si luhatja e çmimeve, pasojat në prodhimin bujqësor, sigurinë ushqimore, etj, por edhe propozimet e KASH për zgjidhjen dhe parandalimin e vështirësive të mëtejshme.

Intervista e plotë

Përpara disa ditësh ju keni zhvilluar një takim me Ministrin e Shtetit për Rindërtim por edhe përgjegjës për situatën ekonomike të krijuar nga Covid-19, Arben Ahmetaj, për çfarë u diskutua në këtë takim?

Në në këtë takim u diskutua për çështje të ndryshme, ku përmendim problemin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, mekanizatorët, për mënyrën sesi do të punojnë, për qëndrat e agroservisit, në mënyrë që edhe ky sektor të jetë në frontin e punës sepse dihet që në këtë periudhë fermerët bëjnë punimin e tokës, bëhet mbjellja e misrit, fasules, etj. Në të njëjtën kohë edhe blegtorët sapo kanë shkëputur qengjat dhe kecat nga mëmat e tyre dhe janë në prodhimin intensiv të qumështit, gjithashtu u diskutua për problemet e ushqimit të blegtorisë, punën e fermerëve, për problemet e veterenarisë në përgjithësi, etj.

Këto çështje vendosen në qëndër të vëmendjes në këtë moment apo është një diskutim që vjen në mënyrë ciklike vit pas viti?

Këto kategori që unë përmenda, në këtë periudhë marrin një rëndësi të veçantë. Nëse ne nuk punojmë tokën për shkak të situatës që jemi dhe përfshihemi nga paniku i situatës, atëherë do kemi pasoja të rënda për prodhimin bujqësor. Duhet të parandalojmë një periudhë të rrezikshme në një fazë të mëvonshme. Bujqësia ka avantazhe pasi njerzit mund të punojnë në kushte më të mira sesa në zonat urbane duke ruajtur distancën, por edhe për disa elementë të tjerë. Ne duhet të punojmë për të parandaluar rënien e ekonomisë bujqësore. Tashmë është shtuar vëmendja e të gjithëve drejt bujqësisë.

Veterenaria ka kaluar epidemi të tilla në kafshë, e fundit ishte dermatoza nodulare. Ata kanë eksperiencë dhe mund të ndihmojnë blegtorët për të kaluar këtë situatë, të shmangin panikun, reduktojnë frikën pasi është një domosdoshmëri. Fermerët janë mësuar me vështirësi të tilla për vetë natyrën e punës që ata kanë. Edhe ne si KASH kemi ngritur një grup të gjerë për të punuar të gjithë së bashku, më shumë se 50 vetë, punojmë çdo ditë për të ndihmuar në vështirësitë që
dalin për realizimin e detyrave të tyre. Nuk do lë pa përmëndur që edhe nga policia ka pasur reflektim, pasi fermerët në fillim janë ndëshkuar duke iu marrë edhe makinat gjatë punës së tyre por ka qënë në fillim të nisjes së periudhës së izolimit.

A është i garantuar qarkullimi i prodhimeve bujqësore brenda vendit por edhe produkteve të importit, kemi garanci në plotësimin e nevojave të tregut?

Nevojat e tregut sigurisht që do të plotësohen, duke pasur mirëkuptim nga ana e policisë për
lëvizjen, por sigurisht duke zbatuar edhe kriteret e vendosura, pasi në radhë të parë qëndron shëndeti.

Çfarë mund të themi për produktet që vijnë nga importi, pasi shumë nga vendet ku ne importojmë janë të karantinuara, si do të veprohet?

Ne jemi në kontakt me kolegët që merren me importin dhe na kanë garantuar që deri tani nuk ka vështirësi, s’ka asnjë anullim kontrate pasi transporti i mallrave vazhdon, ka pasur probleme të vogla të zgjidhshme dhe këtu nuk ka një çështje për të diskutuar.

Qeveria ka një plan me të cilin do të ndihmojë ekonominë për të përballuar situatën e momentit si edhe në vazhdim, po KASH ka dalë me propozimet e veta për kapërcimin e kësaj situate?

Ne që në momentin që nisi kjo situatë, kemi propozuar një paketë masash dhe i kemi nisur në pesë ministri, të cilat janë të lidhura direkt me zonat rurale, kemi bërë propozime konkrete për të punuar fort për marrjen e masave që do t’i shërbejnë kësaj situate por edhe më tej. Kemi kërkuar lehtësi në lëvizjen e bujqëve dhe blegtorëve, kemi kërkuar të mos ndërpriten disa shërbime jetike sidomos të veterinarisë dhe inseminimit artificial, veprimtarinë e mekanizatorëvë, vjeljen e produkteve dhe dorëzimin e tyre deri në magazinë. Në këtë situatë është e sigurt që do kemi një rritje të kostos dhe uljes së rendimentit, kjo për shkak të rritjes së shpenzimve për të përballuar koronavirusin dhe problemeve që lindin në këtë betejë me këtë virus të rrezikshëm.

Do ketë rritje të çmimeve në këtë situatë?

Besoj se për disa produkte do të ketë rritje të çmimit dhe kjo do të vijë si pasojë e rritjes së kostos dhe rendimentit më të ulët, këtu ndikojnë disa elementë ku përmedim çmimin e lartë të karburantit, energjisë elektrike, hedhjes së tepricës së produktit, informalitetin, forma jo e mirë e organizimit dhe e papërshtatshme për këto situatë. Nuk jemi aq të bashkuar për të përballuar një fluks të tillë problemesh. Nuk vjen e keqja nga diversiteti i mendimeve dhe propozimeve por nga filtrat që bëhen për t’i realizuar këto propozime. Do më vinte keq nëse nuk realizohen ato kërkesa që qeveria ka mundësi për t’i realizuar, jo për ato për të cilat nuk kanë mundësi. Ne kemi gjetur një mirëkuptim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe dua të vlerësoj veprimtarinë e tyre në këtë situatë, pasi na janë përgjigjur për të gjitha pyetjet dhe problemet që kemi pasur.

Si e vlerësoni planin e qeverisë?

Edhe qeveria ka qënë e papërgatitur për një situatë të tillë kaq komplekse, kërkohet kurajo që të mos humbasim trendin e mbrojtjes nga koronavirusi, por të përgatitemi për një periudhë afatgjatë.

Përgatitja afatgjatë është përgatitja e anës ekonomike, veçanërisht ekonomia bujqësore dhe blegtorale, e cila është përcaktuese në veprimtarinë e vendit tonë.

Po vërehet një luhatje çmimesh, janë spekulime apo për shkak të problematikave të krijuara?

Në këtë situatë mund të themi se ka dhe drurë të shtrembër, ka nga ata tregtar që veprojnë jashtë logjikës dhe normave që duhen zbatuar në këtë situatë që po kalojmë. Për momentin, nga informacionet që marr, por edhe takimet e zhvilluara, nuk shoh një tendencë për të vepruar në mënyrë të qëllimshme dhe masive. Drurë të shtrembër do ketë, si në çdo sektor. Shpresojmë që të ruajmë raportin mes kostos dhe të ardhurave që vijnë nga shitjet, pasi fermerët nuk mund të përballojnë kostot e larta në realizimin e produkteve të tyre. Fermerët janë të brishtë në problemin e përballimit të kostove prandaj ne kemi propozuar një paketë prej katër masash për qeverinë, sa të kalojmë periudhën e izolomit të futemi në zbatimin e tyre. Po përmend koston pasi është e lidhur me çmimin, konkurencën, volumin e prodhimit në vazhdim. Kostoja është fjala kyçe në këtë situatë. Nëse do të prodhojmë me kosto të lartë do të kemi rritje çmimesh, ulje të sasisë së prodhimit, do ngelen toka të papunuara dhe do futemi në një rreth vicioz që nuk mund të gjejmë dot zgjidhjen.

Sa do të ndikojë tek siguria ushqimore situata e koronavirusit?

Sigurisht që do të ketë ndikim, për këtë arsye përmenda që agronomët e mbrojtjes së bimëve dhe farmacitë bujqësore duhet të jenë në front të punës për të përballuar problemet për mbrojtjen e bimëve. Mbrojtja e bimëve dhe e kafshëve është një problem i madh. Farmacitë veterinare, veterinerët, teknikët veterinerë, zooteknikët, stacionet veterinare duhet të jenë në frontin e punës.

Ka një ndërgjegjësim nga gjithësecili për sigurinë ushqimore, kjo edhe nga puna që bën media, mjekët, nga gjithë njerëzit për t’u mbrojur nga koronavirusi. Tani ka një vëmendje të shtuar dhe mund të themi se në këtë situatë mund të ndihemi edhe më të sigurt sesa më parë.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *