Rrapaj: Grupet e fermerëve me risk falimentimi në këtë periudhë pandemie dhe masat që duhen marrë për t’i mbështetur ata

Në këtë periudhë edhe sektori bujqësor po përballet me vështirësi të shumta, të cilat vijnë si pasojë e ndikimit të shumë faktorëve së bashku. Janë disa grupe fermerësh të cilët kanë risk më të lartë falimentimi ndaj duhen marrë masat e duhura për mbështetjen e tyre.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, i ftuar në emisionin “7 pa 5” ka folur për grupet e fermerëve në vështirësi dhe se si duhet vepruar për të parandaluar një rënie të mëvonshme të ekonomisë bujqësore. Ai theksoi se kjo periudhë pandemie ka ndikim në zinxhirin e prodhimit ushqimor dhe bëri thirrje për mbështetjen e institucioneve të mikrokredisë të cilët kanë dhënë kredi për fermerët.

Intervista e plotë

Cilat janë problemet e fermerëve në këtë situatë pandemie?

Ka grupime fermerësh të cilët janë në risk falimentimi, sidomos fermerët të cilët prodhojnë kastravec dhe luleshtrydhe. Në risk janë edhe blegtorët që tashmë kanë kohën që të shesin kecat dhe qingjat e tyre dhe sasia e qumështit për t’u shitur është më e madhe, janë peshkatarët të cilët rrisin dhe kultivojnë peshq në ambiente të mbrojtura, por njëkohësisht në vështirësi janë dhe institucionet e mikrokredisë të cilët kanë dhënë kredi për fermerët. Problemet e këtyre grupimeve reflektojnë edhe në qëndrat e grumbullimit dhe agropërpunimit. Fermerët e perimeve janë në fazën e grumbullimit të produkteve të tyre, në të njëjtën kohë, qëndrat e grumbullimit kanë problemet e eksportit.
Jemi në stinën e pranverës dhe kjo është një fazë e rëndësishme e bujqësisë për vjeljen dhe mbjelljen. Kemi edhe problemin e qëndrave të përpunimit të cilat janë të papërgatitura për të përballuar këtë fluks.

A kanë kufizime fermerët në këtë situatë?

Fermerët nuk kanë kufizime, madje çdo gjë ka ardhur duke u lehtësuar. Ndikimi i kësaj pandemie është në zinxhirin e prodhimit ushqimor, pasi është ulur konsumi për produktet e freskëta, ka probleme me transportin e tyre, kemi problematikën e disa spekulantëve të cilët duke abuzuar me kërkesën dhe ofertën kanë çuar në rritje të çmimeve. Në të njëjtën kohë kemi mungesë të fuqisë punëtore por edhe disa problematika me eksportin.

Çfarë masash duhet të merren tani që të shohim përfitime nga bujqësia në të ardhmen?

Që ne të shohim përfitime nga ky sektor, duhet që institucionet e mikrokredisë, veçanërisht Fed Invest që financon dhe jep kredi për 70 mijë fermerë, duhet të mbështetet fuqimisht në këtë periudhë, si për portofolin apo interesat e kredive. AZHBR- ja duhet të ketë fonde për të subvencionuar fermerët në risk si edhe interesat e atyre fermerëve të cilët një pjesë të produktit e kanë hedhur apo groposur. Janë rreth 2 mijë ton kastravec i cili ka kaluar fazën e pjekjes dhe është groposur. Ne nuk duhet të lejojmë këtë problematikë e cila vjen si pasojë e mungesës së organizimit.

Problemi i dytë ka të bëjë me qëndrat e grumbullimit. Këto duhen mbështetur me garancinë sovrane për të ruajtur produktet e fermerëve dhe në të njëjtën kohë duhet unifikuar TVSH- ja. Problemi i TVSH-së ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë probleme, sidomos në këtë periudhë do kemi probleme me produktin e qumështit.

Zoti Rrapaj, cilat janë arsyet që 2 mijë ton kastravecë po groposen, kjo për shkak të mbiprodhimit, orarit të kufizuar të shitjes, apo shumë elementëve së bashku?

Janë të gjitha hallkat e zinxhirit që kanë ndikuar negativisht. Në momentin e parë u mendua se edhe femerët nuk do dilnin në punë dhe një sasi e prodhimit ngeli e pavjelë pasi nuk kishte fuqi punëtore. Në momentin e dytë qëndrat e grumbullimit nuk kishin mundësi për ta marrë dhe për ta ruajtur atë pasi ky është një produkt që prishet lehtë dhe momenti i tretë ka të bëjë me vegjetacionin e bimës. Kastraveci por edhe luleshtrydhja kur arrijnë pjekjen duhet të vilen shpejt pasi prishin bimën, tokën si edhe prishet vetë produkti. Eksporti në fazën e parë u ç’rregullua dhe u pezulluan disa tragete eksporti. Ne kemi mundësi për të furnizuar vendin tonë por edhe të eksportojmë. Është e domosdoshme që të merren masat e duhura për mbrojtjen e fermerëve.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *