Kryetari i KASH, Rrapaj: Ndikimi i pandemisë në sektorin bujqësor dhe propozimet e KASH në ndihmë të fermerëve

Ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë edhe bujqësia po përballet me vështirësi në këtë periudhë pandemie. Fermerët po vijojnë punën e tyre, duke kapërcyer vështirësitë e krijuara në këtë sektor. Në dy paketat financiare të publikuara nga qeveria deri tani, agrobiznesi nuk ka gjetur mbështetje. Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, deklaroi se ata po punojnë intensivisht që qeveria të marrë në konsideratë propozimet e tyre në mbështetje të fermerëve për në paketën e ardhshme. Ai tha se KASH ka ngritur grupin e emergjencës të cilët po punojnë hap pas hapi për të parë ndikimin e pandemisë në bujqësi duke evidentuar pikat e forta dhe të dobëta në furnizimin e nevojave të tregut.

Intervista e plotë

Si po ndikon Covid 19 në zinxhirin ushqimor në vendin tonë?

Të gjithë subjektet që marrin pjesë në këtë zinxhir duhet të përballojnë vështirësitë që ka specifika e punës së tyre, si edhe njëkohësisht të ruhen nga infektimi me këtë virus. Fermerët në këtë periudhë vazhdojnë të punojnë për sezonin pranveror, kryejnë mbjelljen e misrit, të fasules, apo perimeve të ndryshme. Ata janë të detyruar të bëjnë edhe vjeljen e një pjese të produkteve të tyre, të përballojnë vështirësitë e furnizimit me inpute, si edhe për transportin e produkteve për në qëndat e grumbullimit dhe përpunimit. Ndryshimet që bëhen herë pas here për lirinë e lëvizjes me automjet ka sjellë vështirësi dhe konfuzion në punën e tyre.

Problem tjetër është që tashmë është periudha e vjeljes për një pjesë të produkteve, dua të përmend edhe problemin e financimit. Për blegtorët është e vështirë shitja e qingjave dhe kecave, por edhe dorëzimi i qumështit. Mosshitja u shton shpenzimet blegtorëve për ushqyerjen e tyre, por edhe kanë vështirësi për mbajtjen në stalla, pasi kapaciteti i stallave është më i vogël.Kufizimi i lëvizjes për veterinerët, zooteknikët, teknikët veterinerë dhe të insiminimit artificial ka bërë që këto shërbime të mos kryhen në kohën e duhur dhe me intensitetin e kërkuar. Duhet të përmendim edhe peshkatarët të cilët ndodhen në vështirësi, për shkak të mungesës së tregut apo gjëndjes jo të duhur të frigoriferëve, magazinave të cilët nuk janë përgatitur për të pritur një produkt të tillë. Një problem tjetër në zonat rurale është edhe financimi përmes mikrofinancës. Pavarësisht fjalës së Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila tha se mikrofinanca do të ndihmohet nga programi i BERZH-it, realisht rezultoi se nuk është e përfshirë në këtë program.

Do të përmendja edhe diçka pozitive nga AKU-ja, të cilët kanë nisur një periudhë intensive për të ndaluar fenomenet që lidhen me produktet me cilësi jo të mirë. Kjo është një punë shumë e mirë e AKU-së që duhet të vazhdojë pa ndërprerje.

Pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia ne jemi në një fushatë ku puna po ecën normalisht dhe me një prodhim të bollshëm që ka ardhur si rezultat e punës së palodhur të fermerëve. Por ky prodhim i bollshëm ka nevojë të rritet, të tregtohet, në mënyrë që fermerët të sigurojnë të ardhura për vazhdimësinë e prodhimit.

Z. Rrapaj, qeveria deri tani ka nxjerrë dy paketa financiare në ndihmë të individëve dhe biznesit. Cila është ndihma që i është dhënë agrobiznesit?

Në dy paketat e publikuara nuk ka asnjë ndihmë për agrobiznesin, pasi ky sektor është konsideruar në punë dhe kufizimet e vendosura janë kapërcyer nga vetë operatorët që punojnë në këtë fushë. Për paketën e tretë ne po punojmë dhe po bëhemi gati për të marrë masa konkrete për këtë sektor. Fiilimisht janë marrë në konsideratë propozimet tona për lirinë e lëvizjes së automjeteve, në të njëjtën kohë ne kërkuam të merreshin masa për të ndaluar luhatjen e çmimeve. Propozimet tona për mbështetjen e grupeve në risk nuk janë marrë në konsideratë por kjo ne nuk na dekurajon. Ne do vazhdojmë të insistojmë që përkrah fermerëve dhe operatorëve që punojnë në këtë zinxhir të jetë edhe qeveria, në mënyrë që të garantohet zinxhiri ushqimor, furnizimi i popullit me ushqime. Dua të përmend një deklaratë të ministrit Ahmetaj i cili tha se tregtarët duhet të importojnë sa më shumë produkte sepse po u mbeti shteti do të ndërhyjë me një garanci sovrane. Do të isha shumë i lumtur nëse ministri Ahmetaj do ta jepte këtë deklaratë edhe për prodhuesit shqiptarë që prodhojnë në këto kushte të vështira. Nëse qeveria dhe grupet e emergjencës do të vlerësonin se këto produkte janë të domosdoshme për një periudhë të mëvonshme, atëherë është e domosdoshme që edhe ne të kemi në mbështetje të kësaj natyre. Në të njëjtën kohë edhe ministrja e Financave të bëjë reale çështjen e garancisë së BERZH për institucionet e mikrofinancës, siç është Fed Invest. Ne jemi duke i grumbulluar kërkesat tona për paketën në vijim, në mënyrë që të mos cënohemi nga problemet që do vijnë në të ardhmen. Ne presim vështirësi sidomos për shkak të konkurencës së produkteve të eksportit. Fqinjët tanë të cilët kanë pasur mbështetjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë do të dalin më të fortë nga kjo sfidë. Duhet të përgatitemi të gjithë së bashku, në të kundërt vështirësitë do të jenë akoma më të mëdha dhe pakënaqësia jonë do të jetë më e madhe.

A ka potencial bujqësia vendase për të plotësuar nevojat e tregut vendas?

Është e padiskutueshme që plotësohen dhe tejkalohen nevojat e tregut vendas, ashtu si për perimet e freskëta apo për një pjesë të konsiderueshme të produkteve blegtorale. Për disa produkte që historikisht nuk prodhohen në vendin tonë, nuk plotësohen nevojat. Tani jemi duke punuar me grupin e emergjencës së ngritur nga KASH, për të kuptuar realisht ndikimin e kësaj epidemie hap pas hapi, në mënyrë që ne të informojmë se ku janë pikat tona të dobta dhe të forta për furnizimin e nevojave të tregut me ushqime.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *