Protestat e fermerëve dhe sfidat për bujqësinë për vitin 2020

Rrapaj: Bujqësia duhet orientuar drejt certifikimit

Fermerët e kanë nisur këtë vit me protestë, duke ngritur zërin për shkak të mungesës së tregjeve për shitjen e produkteve të tyre apo mungesës së mbështetjes me subvencione. Por si është realisht situata e bujqësisë në vendin tonë dhe a ka një reflektim nga institucionet përkatëse për t’i dhënë zgjidhje problemeve  të tyre. Qeveria e ka shpallur sektorin bujqësor si një nga sektorët prioritar për vitin 2020 duke rritur me 15% buxhetin në krahasim me vitin e shkuar. Për këto çështje kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj ishte i ftuar në emisionin “7 pa 5” në Vision Plus. Ai theksoi rëndësinë e orientimit të bujqësisë drejt certifikimit, shfrytëzimit të potencialeve të shumta që ka vendi ynë dhe dhënies së zgjidhjes për problemet si rimbursimi TVSH- së, ndryshimin i organizimit të fermerëve, uljen e çmimit të naftës apo energjisë elektrike, etj.

Intervista e plotë

Fermerët e nisën këtë vit me protesta për shkak të mungesës së tregut për shitjen e produkteve dhe mungesës së mbështetjes me subvencione nga shteti. Si është realisht situata? 

Fermerët kanë të drejtë të protestojnë pasi punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, kjo për arsye të kushteve të vëtë proçesit të prodhimit bujqësor i cili zhvillohet në një fushë të hapur. Ata punojnë në ditë me diell apo me shi, me të papriturat që sjell moti. Kjo është vështirësia e parë, por ka dhe mjaft vështirësi të tjera që lidhen me zhvillimin e proçeseve të tregut, konkurencën, etj. Konkurenca me kalimin e kohës bëhet  më e ashpër. Problemet që kanë me koston e prodhimit të produkteve i kanë shoqëruar prej vitesh dhe do vazhdojnë që t’i shoqërojnë. Ka ardhur një moment që për fermerët është bërë e papërballueshme situata dhe shpesh herë ata protestojnë dhe për mendimin tonë protestojnë me të drejtë. Kostot që ata kanë janë kosto që vijnë edhe për efekt të politikave fiskale jo koherente, jo në përputhje me politikat e vendeve të rajonit. Ky është hapi i parë që duhet hedhur për të ndryshuar. Janë të shumta masat që duhen marrë, psh. çmimi i naftës apo energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë, rimbursimi i TVSH-së u bë në 6%, shumë kompani që merrnin dhe grumbullonin produkte nga fermerët, tani i importojnë ato.  Marrim shembullin e qumështit ku 10% e sasisë tashmë merret nga importi duke bërë që 10% e fermerëvë mos të kenë treg. Kjo  ka qënë edhe arsyeja  e protestës ku fermerët ankohen se nuk kanë treg.Në këtë situatë është domosdoshmëri që të merren një sërë masash në harkun e një kohe të shkurtër. Fermerët, qeveria, edhe ne si KASH duhet të mendojmë për ndryshimin e formës së organizimit të fermerëve, pasi kjo formë organizimi nuk mund të përballojë situatat dhe vështirësitë që do vijnë.

A janë dëgjuar ankesat e fermerëve?


Një grup pune në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke punuar për kërkesat e fermerëve. Por, këtu nuk bëhet fjalë nëse dëgjon ministria apo jo, pasi ankesat janë publike dhe i dëgjon kushdo, por bëhet fjalë për të reflektuar. Për uljen e rimbursimit të TVSH – së nuk është reflektuar, as për çmimin e karburantit. Kemi dëgjuar që një grup pune ka ngritur një projekt për uljen e çmimit por proçesi po ecën jashtëzakonisht ngadalë. Përsa i përket kostos, nuk mund të themi se kostua ulet me subvencione, por me një sërë masash të tjera për të cilat presim të realizohen. Ky është kushti për të ndryshuar.  Fermeri është më i diskriminuari në të gjithë hallkën e zinxhirit. 

Sa përfitojnë fermerët nga skemat e subvencioneve?

Këtu duhet t’i ndajmë fermerët. Ata me një sipërfaqe të vogël nuk mund të përfitojnë nga IPARD-i.Fermerët e vegjël mund të përfitojnë nga skemat kombëtare por dhe ky përfitim është i reduktuar. Ndikim do ketë ulja e çmimit të karburantit apo rimbursimi i TVSH-së. Fermerët duhet të grumbullohen,  por kur u flitet për grumbullim mendojnë kolektivizim. Nuk flasim për kolektivizim, por bashkim për të përballuar  vështirësitë, për gjetjen e tregut apo lidhjen e kontratave pasi një fermer i vogël nuk mund të lidhë kontrata. Nëse nuk lidhen kontrata në mënyrë që të prodhojmë ato që  kërkon tregu, të tilla probleme do t’i kemi në vazhdimësi.

Presim një vit me probleme të pazgjidhura apo ka sinjale që mund të ndryshojë situata në bujqësi?

Ne filluam me një protestë dhe ky nuk është një fillimi i mbarë, nisëm me problematika që duhen zgjidhur dhje kjo nuk është diçka e mirë, megjithatë në vite fermerët kanë punuar dhe do vazhdojnë të punojnë.  Mbi 300 mijë fermerë punojnë për familjet apo blegtorinë e tyre. Ata kenë një tepricë për treg dhe ne këtë tepricë duhet të mendojmë. Mendoj se ndryshime do  të ketë këtë vit, pasi qeveria e ka shpallur bujqësinë sektor prioritar. Ka një rritje të buxhetit për vitin 2020 me 15% më shumë se vitin e kaluar dhe kjo  është një shenjë e mirë. Ka një ofertë financiare prej 56 milion euro nga IPARD, në të njëjtën kohë disa projekte të tjera  si është GIZ SARED   apo Risi Albania po punojnë që fermerët të futen në proçesin e formalizimit dhe të certifikimit. Me certifikimin Global Gap po punon Risi Albania e cila ka ndërtuar dhe po ndërton modele të suksesshme  në disa zona, si në Fier, Lushnje, Sarandë. Nëse do ecim në fushën e produkteve organike, certifikimin Global Gap, nëse do lidhim marrëveshje për prodhimin e atyre produkteve që tregu i kërkon apo do ndryshojmë formën e organizimit, do besoja shumë që bujqësia do të ketë ndryshim. Në të njëjtën kohë kemi potenciale të jashtëzakonshme dhe jo të shfrytëzuara në maksimumin e mundshëm. Psh. në 1 ha tokë në Izrael merren deri  në 6 milion euro prodhim, ndërsa Shqipëria merr  deri  në një milion euro. Mora shembullin e Izraelit që ka tokën më pak produktive.Për mendimin tim subvencionet kryesore duhet të shkojnë tek certifikmi  i produkteve. Nëse do përfshijmë edhe tepricën e produktit të certifikuar në market do i japim zgjidhje dhe protestës së zhvilluar për mungesë tregu.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *