Bujqësia në fokus të BE-së, Rrapaj: Kërkohet bashkëpunim midis sektorit publik dhe privat për zgjidhjen e problemeve në bujqësi

Bashkimi Europian herë pas here ka vënë në dispozicion fonde për qeverinë shqiptare  por a kemi ditur ne të përitojmë nga këto fonde? Si paraqitet situata e bujqësisë në vendin tonë dhe si kanë rezultuar aplikimet për fondet IPARD? Për vështirësitë e fermerëve në proçesin e aplikimit, problemin e formalizimit të bujqësisë apo çertifikimit të produkteve, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, ka folur në emisionin “7pa 5”, në Vision Plus. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të sektorit publik dhe privat për zgjidhjen e problemeve të bujqësisë.

Si paraqitet këtë vit situata e bujqësisë? Ju keni kërkuar që në fillim se disa zëra të buxhetit duhet të rishikoheshin, a ju dha të drejtë koha për kritikat tuaja?

Fatkeqësisht më dha të drejtë, pasi shumë nga zërat për të cilët ishim të interesuar të rriteshin investimet, ngelën si në vitin e kaluar. Problemi i parë dhe kryesor për ne ka qënë se fondet e parashikuara nga buxheti i shtetin përmes AZHBR-së, si edhe fonde nga institucione të tjera  apo të BE, do të mund të rimbursoheshin në një nivel më të kënaqshëm sesa vitet e kaluara, por nuk ndodhi. Kjo bëri që situata të mos ndryshonte ashtu siç ne e prisnim. BE-ja vuri në dispozicion 91, 5milion euro që prej vitit 2015, së bashku me qeverinë shqiptare. Në fund të vitit 2018 ne morëm akreditimin, besueshmërinë që mund të përdornim këto fonde.  Gjatë vitit 2019 u bënë aplikimet për IPARD 2, rreth 330 aplikime dhe sot aktualisht janë lidhur 20 kontrata me një disbursim prej 15 milion euro.

Zoti Rrapaj si e shpjegojmë faktin që nga 330 aplikime janë pranuar vetëm 20 aplikime, ku qëndron problemi?

Këtu kemi disa arsye. Një nga arsyet e para është mungesa e çertifikatave të pronësisë. Së dyti është forma e organizimit, ku kemi 354 mijë ferma. Nuk kemi një formë organizimi që mund t’i shërbejë bujqësisë.

Po skema me grumbulluesit nuk dha rezultat?

Skema me grumbulluesit është një ndër rezultatet pozitive, pasi futja e grumbulluesve në skemë bëri që shumë fermerë t’u bashkohen, por kjo nuk siguroi zgjidhjen e problemit. Nuk arritën dot grumbulluesit të përfitonin në atë sasi që ata e parashikuan në planet e biznesit. Elementi tjetër që na penalizoi ishte heqja e TVSH-së nga 20% në 6%. Proçesi i rimbursimit të qumështit me 10 lekë nuk funksionojë dhe nuk ishte efiçent. Kjo nuk ishte një zgjidhje. Problemet lindën edhe në proçesin e vlerësimit pasi edhe grupet e krijuara e kishin për herë të parë  të bënin pjesë e një proçesi kaq të vështirë. Fondet IPARD nuk janë para falas, por merren me shumë vështirësi dhe kërkojnë plotësimin e shumë kushteve. Ne presim dhe urojmë që të realizohen një shifër e konsiderueshme kontratash për fazën e parë dhe presim akoma më shumë në fazën e dytë, pasi janë bërë disa ndryshime edhe tek aplikuesit.

Cilat janë ndryshimet që janë bërë tek aplikuesit?

Kompanitë të cilat nuk lejoheshin të merrnin pjesë,  të cilat kishin më shumë se 5 milion euro xhiro, tani  do të mund të marrin pjesë në proçesin e aplikimit. Është e rëndësishme që ata që aplikojnë t’i referohen faqes së AZHBR-së, rregullave të publikuara, të hyjnë në dialog për të mos bërë gabimet që janë bërë më parë. Vlen për t’u përmendur që AZHBR-ja duhet të jetë transparente për dokumentacionin shtesë të nevojshëm. Përgatitja e dokumentacionit është e vështirë. Nuk mund të aplikojë një fermer por aplikimi të bëhet përmes një studioje të specializuar, pasi mund të s’kualifikohesh për gabime shumë të vogla. 

A ka zyra informacioni ku fermerët mund të drejtohen për t’u informuar?

KASH në 12 qarqe ka zyra të posatshme që fermerët mund të drejtohen për t’u informuar, edhe në zyrën qëndrore të KASH është ngritur një zyrë me ekspertë shumë të mirë të cilët bëjnë vlerësimin paraprak dhe japin asistencë për fermerët. Fermerët janë shumë të interesuar por interesimi me mundësinë duhet të përputhen. Në këtë fazë që ne jemi, disa nga fermerët janë zhgënjyer apo janë lodhur pasi kanë aplikuar disa herë, janë stërmunduar, por pa rezultat.  Mungesa e çertifikatave të pronësisë të s’kualifikon, proçedura e lejes së ndërtimit duhet të gjejë zgjidhje, gjithashtu hartimi i plan – bizneseve, projekteve dhe prezantimi dosjes është një proçedurë e vështirë.

A kemi histori suksesi?

Kemi histori suksesi, unë mund të përmend grandin e qeverisë së Japonisë që u realizua 100% nga fermerët. Kishte kritere më të lehta por më i vështirë përsa i përket transparencës. Ishte i vetmi grand që u realizua 100%, ndërsa për grandet e tjera ne kemi shkuar 40-50% maksimumi.

Informatizimi është një  problem për ne?

Nëse ne duam të vazhdojmë me formalizimin këtë nuk mund ta bëjmë pa formatizimin. Ata janë interesuar  për të futur disa elementë të informatizimit përsa i përket inovacionit për shpërndarjen e karburantit.  Shpresojmë shumë që ky proçes të përfundojë në mënyrë që fermerët tanë përmes inovacionit dhe programimit  kompjuterik të mund të furnizohen me naftë me çmim të reduktuar. Përmes këtyre programeve ne mund të fillojmë të formalizojmë bujqësinë. Ne kemi edhe sistemin e identifikim – regjistrimit RUDA, i cili është një sistem mjaft i mirë që mund të veprojë shumë mirë për formalizimin e blegtorisë. Në të njëjtën kohë mund të punojmë dhe realizojmë programe selektive formalizimi në mënyrë që mund të zhdukim informalitetin. Unë di se Bashkia e Tiranës ka një program që po punon për formalizimin e fermerëve, për regjistrimin e tyre.

Sa i formalizuar është sektori bujqësor?

Nga 354 mijë ferma vetëm 40 mijë prej tyre janë të pajisura me NIP, pra jemi tek 10%. Kishim TVSH-në si një element që ndihmonte në formalizim, tashmë edhe fermeri nuk ka interes të formalizohet. Kishim karburantin si një element për formalizim, edhe këtë nuk e kemi më. Kishim disa subvencione që ndikonin tek formalizimi, edhe këto po vijnë duke u zvogëluar.

Është koha të ulemi të gjithë së bashku, sektor privat, sektor publik dhe qeveria në veçanti për të gjetur mënyrat e formalizimit të ekonomisë bujqësore.

Bashkimi Europian është kujdesur gjatë këtyre viteve që të japi fonde për fermerët shqiptar dhe të kemi mundësinë të përfitojmë. A do jetë e vështirë për ne kur të jemi në një treg të përbashkët?

Nëse do jemi si në situatën e sotshme, për ne do të jetë shumë e vështirë. Do jenë disa kritere të cilat ne jemi të detyruar t’i zbatojmë. Marrim shembullin e prodhimit të qumështit. Për prodhimin e qumështit duhet të jemi në nivelin e tyre që ne mund të kemi mundësi që ta subvencionojmë, ndryshe nuk do na i lejojnë. Për shumë subvencione nuk do kemi mundësi, pasi BE-ja i quan jo efiçente, pasi thotë që mund të marrësh nga produktet e mia dhe jemi të detyruar t’i marrim. Çekia kur u anëtarësua kishte një nivel më të mirë cilësor sesa ne dhe u përballë me vështirësi.

Çfarë mund të themi për çertifikimin e produkteve bujqësore?

Investimet në sektorin privat përsa i përket laboratorëve është një inistiativë shumë e mirë. Kjo inisiativë ndikon në cilësinë e ushqimeve dhe produkteve agroushqimore. Përsa i përket investimeve nga sektori publik, duhet të vazhdojnë pavarësisht se çfarë bën sektori privat. Ne jemi defiçitar përsa i përket investimeve për laboratorë në sektorin publik. Besueshmëria është e njëjtë tek laboratërët publik apo privat, ne duhet ta nxisim dhe zhvillojmë këtë sektor.  Ata që japin opinione për investimet në fushën e laboratorëve bëjnë gabim, pasi duhet të kenë fakte dhe të provojnë dyshimet e tyre dhe jo të nisen me mendime të gabuara.

Çfarë mund të thoni për “silicon mix”?

Tani nuk ka më  “silicon mix”, por mund të zgjidhej shumë mirë në atë periudhë përmes organeve të caktuara.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *