92-vjetori i themelimit të Ushtrisë, ambasada e Republikës Popullore të Kinës pritje në Tiranë

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, dha mbrëmjen e sotme një pritje me rastin e 92-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, me praninë e personaliteteve të rëndësishme të jetës publike e shtetërore si dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, ambasadori i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Zhou Ding, vuri në dukje disa momente të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar ky proces.

“Gjatë 92 viteve me erë dhe shi, ushtria kineze u themelua dhe u rrit në luftërat për pavarësinë e çlirimin kombëtar, u zhvillua dhe u forcua në Reformën dhe Hapjen të Kinës”, tha ambasadori Ding.

Në videon e transmetuar për të pranishmit, u shfaqën kontributet dhe sakrificat e ushtrisë kineze në aktivitetet paqeruajtëse ndërkombëtare, eskortat detare, si dhe në përballimin ndaj katastrofave natyrore. “Në të ardhmen, si vendi kryesor i dërgimit të trupave dhe i financimit për operacionet paqeruajtëse të OKB-së, Kina do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së mbrojtjes me karakter mbrojtës, do të vazhdojë të jetë ndërtuesi dhe ruajtësi i vendosur i paqes botërore”, tha ambasadori Ding.

“Shqipëria ka histori të gjatë dhe kulturë të larmishme. Njësoj si Kina, populli shqiptar e çmon pavarësinë sovrane dhe dinjitetin e tij, që janë fituar me përpjekje të vështira. Njësoj si Kina, populli shqiptar ka bërë sakrifica të mëdha për pavarësinë kombëtare dhe luftën antifashiste. Filmat shqiptarë si “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “I teti në bronz”, në vitet ’60 e ’70 të shekullit të kaluar, ishin të njohura nëpër pothuajse të gjitha familjet kineze. Tregimet e heronjve në këto filma kanë prekur dhe inkurajuar shikues të panumërt kinezë, duke mbjellë farën e miqësisë tradicionale kino-shqiptare”, tha ai.

Ai tha se ndihej shumë i nderuar që ka marrë detyrën si Ambasadori i Kinës në Shqipëri.

“Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë, një vit i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve dypalëshe. Kina gjithmonë e konsideron Shqipërinë si një mik dhe partner të sinqertë. Pala kineze mbështet vendosmërisht përpjekjet e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE dhe uron që ajo të bëhet sa më parë anëtar i familjes BE. Jemi të bindur se, populli shqiptar ka kapacitet dhe mençuri të nxjerrë konsensus shoqëror dhe zgjidhje që përputhen me interesin afatgjatë kombëtar, dhe të realizojë begatinë e fuqizimin e vendit”, theksoi ai.

“Kina do të zhvillojë marrëdhëniet me Shqipërinë gjithmonë në bazë të miqësisë tradicionale, të parimit të barazisë dhe përfitimeve të ndërsjellta. Ambasada kineze do të nxisë vazhdimisht bashkëpunimet politike, ekonomiko-tregtare, kulturore, arsimore dhe shkëmbimet popullore midis Kinës dhe Shqipërisë, do të mbështesë që Shqipëria të luajë një rol më aktiv e konstruktiv në Bashkëpunim midis Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, do të mbështesë organizimin e Forumit të Kryebashkiakëve të Kryeqyteteve të vendeve 17+1, dhe themelimin e Qendrës së Zhvillimit Rinor të 17+1 në Tiranë”, theksoi ambasadori Ding.

Në aspektet ushtarake dhe policore, sipas tij, pala kineze është e gatshme të shkëmbejë eksperienca dhe të zhvillojë bashkëpunim në fushat si asistencë në fatkeqësi, paqeruajtje ndërkombëtare, luftës ndaj krimit të organizuar etj., për të mirën e dy popujve tanë.

“Zonja dhe zotërinj, nuk diskutohet zhvillimi i vendit pa një ambient paqësor e të qëndrueshëm brenda dhe jashtë vendit”, theksoi ambasadori Ding.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *