Në pikën agroturistike “Pema e Jetës”, investimi shumëdimensional i Artur Bujarit me mbështetjen e AZHBR-së

Ferma agroturistike “Pema e Jetës” në fshatit Shkallnur, Durrës, 25 km larg kryeqytetit, ofron modelin unik të investimit në vendin tonë, që realizon funksionimin me cikël të mbyllur të prodhimit dhe shërbimeve, nga ferma në tavolinë.

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/676438736130580/

Ferma “Pema e Jetës” është një investim shumëdimensional i sipërmarrësit Artur Bujari, që me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka arritur të krijojë të parën qendër agroturistike në vend që prodhon, tregton (restorant), përpunon dhe grumbullon (qendër frigoriferike) të gjitha llojet e produkteve bujqësore, blegtorale e agroushqimore.

Ferma ndodhet në një peizazh të mrekullueshëm rural, në ajër të pastër. Ku në restorant të serviren ushqime organike e të shëndetshme të zonës ku ndodhet kjo fermë. Ndërsa ndjesia e qetësisë së thellë, ndërthurur me natyrën dhe qetësinë aq të nevojshme për të kaluar me familjarët, janë disa nga shumë ndjesitë e këndshme që të ofron “Pema e Jetës”. Këtu syri të sheh vreshtat e rrushit, ullinjtë, drurët frutorë, që janë kurora e hijeshisë së fermës model të kafshëve dhe shpendëve, që i shtojnë aktraksionin kësaj qendre agroturistike.

Ekipi i ATSH-së vizitoi nga afër “Pemën e Jetës” dhe sipërmarrësi Artur Bujari na tregoi se ky investim i bërë edhe me dëshirën e familjarëve të tij, për të zgjeruar aktivitetin në një fushë të re, që siç thotë Bujari, “me rëndësi për vendin dhe si një nga prioritetet kryesore në programin e Qeverisë Rama, atë të turizmit”.

“Vendosëm të investojmë dhe realizuam një fermë bioorganike me cikël të mbyllur, që shërben si bazë për ngritjen e një aktiviteti agroturistik”, – thotë Bujari.

“Në vitin 2012 vendosëm të blejmë një tokë për shtëpi në këtë zone kodrinore të Rrushbullit, që është e ngjashme me zonën e Firences në Itali dhe na pëlqeu kjo pllajë që ishte në shitje në atë kohë. Por kur e morën tokën, vendosëm të investojmë në agroturizëm. Eksperiencë nuk kishim, por bashkë me gruan, pamë disa modele në jug të Francës, Italisë dhe Izraelit. Modelin që pamë në Izrael, ku ferma ishte ngritur në 20 ha tokë dhe kishte arritur të krijonte një agroturizëm me cikël të mbyllur, ku 90% e ushqimeve që ofronte në restorant i kishte prodhimeve nga ferma e tij, vendosëm ta sjellim edhe në Shqipëri. Mbi këtë bazë u ndërtua projekti jonë”, tregon Bujari, ndërsa shprehet i bindur, se “ky është një projekt shumë i bukur dhe i goditur”.

Në plantacionet me pemëtore në “Pemën e Jetës” janë mbjellë 800 rrënjë pemë frutore të të gjitha llojeve autoktone dhe 2000 rrënjë fruta pylli që nuk njiheshin më parë në Shqipëri.

Bujari tregon se, të veçanta janë bimët me origjinë aziatike, që i ka sjellë për herë të parë në Shqipëri, si Takikardi, pjeshkët e veçanta petashuqe, Frei, Nashi dhe emblema e drurëve është pema goji (goxhi), frutat e së cilës janë nga antioksidantët më të fuqishëm.

Goji me origjinë nga Himalajet, që sot identifikon dhe emrin e fermës “Pema e Jetës”, arrin në 400 rrënjë të mbjella. Kjo bimë, që të rriten e të prodhojë frutat, kërkon një kujdes të veçantë, gjë e cila nuk i mungon në fermën e Bujarit, që simbolizon më së miri të gjitha përpjekjet e tij, për të lënë gjurmën e një sipërmarrësi të suksesshëm në fushën e agroturizmit shqiptar.

Këtu gjithçka është organike. Vizitorët kanë mundësi që jo vetëm të shijojnë ushqimet e shijshme bio, por edhe të mbledhin vetë frutat nga pemët, nëse duan të marrin për në shtëpitë e tyre.

Prodhimet e fermës i përgjigjen kërkesave të restorantit. Bujari thotë se në restorantin e fermës ofrohen të freskëta të gjitha llojet e prodhimeve bujqësore frutore dhe blegtorale (mish, gjalp, vezë, qumësht etj).

“Në kompleksin blegtoral kemi pula, pata, rosa, zogj fushe, lepuj që i rrisim vetë në fermë dhe i përdorim për nevojat e restorantit. Ndërsa verën dhe rakinë e prodhojmë nga vreshti ynë dhe të gjitha llojet e reçelrave prodhohen nga frutat e fushës sonë në mënyrë artizanale”, – tha ai.

Ai tregon se ka aplikuar në skemat mbështetëse që ka lançuar qeveria dhe në sajë të mbështetjes financiare që ka përfituar nga programi IPARD po investon në sistemin e magazinim-përpunimit duke realizuar kështu ciklin e mbyllur në fermë sipas standardeve më të mira.

Sipas tij, “në bashkëpunim me AZHBR kemi ndërtuar objektin kryesor të përpunim-magazinimit për të gjitha prodhimet bujqësore e blegtorale që prodhohen në fermën tonë. Kemi 4 frigoriferë të fuqishëm dhe përmes këtij investimi realizojmë ciklin e mbyllur të fermës, i cili realizon konservimin dhe përpunimin e prodhimeve. Ndërkohë që kemi përfunduar 30% të investimit dhe kemi aplikuar tek programi IPARD për makinerinë e përpunimit si dhe për të mbyllur plotësisht investimin, me qëllim vënien në funksionim të 9 minipunishteve nga përpunimi i vajit të ullirit, përpunimi i mishit, i frutave, zarzavateve, kantina e pijeve, e deri tek prodhimi i sapunit”.

Ndërsa me ngritjen e laboratorit të certifikimit të cilësisë së prodhimeve, synojmë që edhe të eksportojmë prodhimet e fermës me markën “Pema e Jetës”. “Sfida jonë është që të gjitha prodhimet tona të vijnë të certifikuara sipas standardit CIA dhe AZHBR na ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim”, – tha Bujari.

Tashmë kjo fermë është kthyer në pasionin kryesor të gjithë familjes.

Dorarti, djali i Arturit është menaxher i fermës. Ai ka studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare në Londër dhe është kthyer për të dhënë eksperiencën e fituar jashtë vendit në fermën e familjes.

Dorarti, tregon se, këtu turistët kanë mundësinë të shijojnë çdo prodhim organik. Në këtë fermë çdokush ka mundësinë të bëjë realitet ëndrrën: “Zgjidhe vetë frutin dhe zarzavaten tënde”, thotë ai duke shpjeguar se, çdokush zgjedh frutin apo perimet për tryezën personale.

Ndërsa kompleksi blegtoral me stallën e lopëve, viçave, qengjave, kecave, derrave, lepujve e kaprojve i shërben edhe argëtimit të vizitorëve, veçanërisht të fëmijëve, të cilët kanë mundësi ti shohin nga afër këto kafshë. Sipas tij zgjerimi i fermës me investime në perspektivë ka shtuar edhe angazhimin e forcave të reja në punë. Janë mbi 20 punëtorë ditorë të punësuar në këtë fermë si në mirëmbajtjen e pemëtoreve, serrave e stallave. Ndërsa në stinë piku numri i të punësuarve shtohet.

Dorarti shprehet se, ky investim shumëdimensional tashmë po gjeneron zhvillim edhe për të gjithë zonën e fshatrat përreth. Mbështetja me subvencione shtetërore na ka dhënë dorë në zhvillimin e investimit të plotë të projektit tonë sipas modeleve më të mira bashkëkohore, për fermën agroturistike me cikël të mbyllur, që për herë të parë po realizohet në Shqipëri, duke synuar plotësimin 100% të kërkesave të klientelës për produkte që rriten brenda perimetrit të fermës.

“Investimi në fermën bioorganike me produkte të freskëta blegtorale, bujqësore në fushë e serra dhe përpunimi i tyre me standarde, na bën t’u ofrojmë pushuesve, vizitorëve e  turistëve vendas e të huaj, një lloj pushimi atraktiv dhe mjaft të kërkuar në ditët e sotme. Ka ardhur koha që në vendin tonë të krijohen mundësi të tilla agroturistike, si modele që gjenerojnë ekonominë familjare dhe nxisin zhvillimin e zonave rurale”, – thotë Bujari.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *