Siguria ushqimore, Rrapaj: Duhen ndarë faktet nga opinionet, udhëtarët e rrugës nuk mund të zëvendësojnë ekspertët

Ditët e fundit janë publikuar disa lajme që kanë ҫuar në hapjen e një debati publik mbi sigurinë ushqimore të prodhimeve vendase.  A janë lajme që duhen marrë siҫ janë ofruar apo të bëhëmi të zgjuar dhe të shohim se ҫ’po ndodh realisht.  Për këtë tematikë, për të sqaruar konsumatorët të cilët janë shqetësuar për sigurinë e ushqimeve që ata konsumojnë, ka folur kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj. Ai theksoi se KASH do të godasë dhe ka goditur  ҫdo rast abuzimi që është paraqitur me fakte konkrete por tërhoqi vëmendjen për ndarjen e fakteve nga opinionet. Nuk mund të marrim për bazë opinionet e kujtdo që flet, por gjithmonë të bazohemi në fakte konkrete dhe në interpretimet e ekspertëve. Në bazë të analizave të kryera nga Instituti i Veterenarisë se fundmi, nuk ka rezultuar asnjë rast me sasi pesticidesh mbi normat e lejuara, opinione të tilla vetëm sa dëmtojnë prodhimin vendas. Kryetari i KASH theksoi rëndësinë e goditjes së informalitetit, si mënyrë për të shmangur ҫdo rast abuzues.

Jemi përpara një debati publik që ndodh pothuajse  gjithmonë në këtë periudhë, për të dëmtuar apo për të tërhequr vëmendjen kjo mbetet për t’u parë.  Ju si mendoni?

Për sigurinë ushqimore realisht duhet të shqetësohemi, pasi ka të bëjë me shëndetin, me të ardhmen, ka të bëjë me atë  që ne kemi për qëllim, që është të ushqehemi mirë. Prodhimi vendas në Shqipëri zë një peshë të konsiderueshme në ushqyerjen e popullatës, dua të përmend faktin që 1.2 milion banorë banojnë në zonat rurale dhe kryesisht vetëushqehen me prodhimet e tyre, por njëkohësisht një pjesë e mirë e tregut vendas në zonat urbane ushqehet me këto prodhime. Janë rreth 350 mijë familje që prodhojnë për vetëkonsum, për konsulamtorin në zonat urbane dhe të gjithë këta së bashku që arrijnë 2.8 milion banorë ushqehen kryesisht me prodhime vendase. Momenti që ne hedhim dyshime mbi cilësinë e prodhimeve vendase është momenti më i rëndësishëm që ne duhet t’i kushtojmë vëmendje. Unë jam pro asaj media apo kujtdo që konstaton një fakt, e bën publik, ka mbështetjen tonë të padiskutueshme. Ne si KASH, si fermerë, si prodhues apo agropërpunues jemi shumë të interesuar që të godasim këdo që hedh një pikë bojë tani që prodhimi vendas sapo ka filluar, por nuk mund të pranojmë opinione nga opinionistë që janë rrugëtarë. Një opinionist rrugëtar nuk mund të përcaktojë nëse janë me mbetje apo jo prodhimet tona. Këtë e përcakton vetëm laboratori. Unë do të isha mjaft i shqetësuar nësë për sigurinë ushqimore do të fliste profesor Kristaq Sinaj, profesor Sherif Lushaj apo Vjollca Ibro, pra, do të flisnin ekspertë të bujqësisë, ushqimit, mikrobiologjisë që e njohin këtë sektor. Do të më vinte shumë mirë po të flisnin agronomët e mbrojtjes së bimëve dhe nëse do të kishte fakte do të ishte një kambanë alarmi për ne. Por, kur janë opinione rrugësh që realisht kthehen në përralla, këto opinione vetëm sa dëmtojnë prodhimin vendas. Ne duhet të jemi mjaft të kujdesshëm. Siguria ushqimore është një element që ne duhet ta kemi në vëmendje ҫdo ditë, duhet ta ketë në vëmendje prodhuesi, ambalazhuesi, eksportuesi, por edhe ai që e shet. Në rastin konkret nuk ka fakte për të krijuar një opinion të tillë për prodhimin vendas që sapo ka filluar. Unë nuk mund ta besoj dikë që ka një opinion dhe thotë që në darkë hodha stimuluesin dhe më mengjes vola 20 ton shalqi apo që thotë se domatet më te mira vijnë nga Italia. Këta janë njerëz që flasin pa patur informimin apo kualifikimin e duhur. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe kemi kërkuar kryerjen e analizave. Janë bërë 47 analiza nga Instituti i Veterenarisë që është laborator i ҫertifikuar dhe asnjë nuk ka dalë me mbetje mbi normat e lejuara. Pra, nuk ka një rast të vetëm që ne të shqetësohemi. Nuk mund të ngarkojmë fermerët me elementë të cilët ata nuk i kanë. Kush mund ta besojë që 1.2 milion fermerë nuk hëngërkan nga prodhimet e tyre dhe që këta njerëz me dëshirën e tyre duan të dëmtojnë fëmijët e tyre apo që ne kemi në gjirin tonë njerëz që kryejnë veprime të tilla. Kjo nuk na tërheq vëmendjen për të qënë goditës ndaj ҫdo fenomeni por shtrojmë pyetjen që pse të merremi me opinione dhe jo me fakte. Nuk mund të jemi në krah të opinioneve të pabazuara dhe të pavërteta në rastin konkret. Nuk ka absolutisht dhe nuk është e nevojshme që në këtë situatë të përdoren ato stimulant që përmenden në emisione të ndryshme. Ne e dimë shumë mirë që ekziston edhe konflikti tregtar, importuesve mund t’i pëlqejnë këto opinone por kjo nuk është e ndershme. Këto opnione nuk ndikojnë pozitivisht për prodhimin vendas kur sapo ka nisur të dalë në treg.

A janë gjithmonë kaq të pastra prodhimet vendase apo duhet të pranojmë edhe rastet e futjes së këtyre stimulantëve?

Në momentin që ne kemi një fakt, ne jemi të pamëshirshëm ndaj këtij fakti, por duhet të ndajmë faktin nga opinioni. A krijohen opinione mbi baza që i shërbejnë importuesve, që i shërbejnë konkurencës së pandershme apo për të dëmtuar prodhimin vendas?  Në këtë rast po. Opinionet nuk ndihmojnë askënd, por të padrejtët. Këto opinione janë përhapur në momentin që prodhimet vendase do të zëvendësojnë importet, tashmë Shqipëria hyn në prodhim përpara të tjerëve me prodhimet në sera, kjo  për arsye të motit dhe jo të stimulantëve. Është e mira e këtij vendi që ne hyjmë në prodhim një muaj para, por kjo shqetëson te tjerët. Ne nuk kemi asnjë lloj barriere për importin e perimeve, të frutave por nuk mund të pranojmë një barrierë artificiale të krijuar nga opinionet. Kjo është e rrezikshme edhe për ata që ne na sulmojnë, edhe pë rata që kanë një elemet mjaft të vecantë siҫ ështe prodhimi vendas që realisht nuk e përballon dot këtë sulm të padrejtë.

Për të mbrojtur konsumatorin vendas por edhe prodhuesin ҫfarë duhet të kemi parasysh në këtë periudhë? Duke u nisur nga debatet për rimbursimin e TVSH-së, mungesës së subvencioneve, disbursimin i fondeve IPARD që ende s’ka filluar, a mund të themi që jemi duke dëmtuar prodhimin vendas?

Prodhimi vendas ështe jetik për vendin tonë, është jetik për familjen, për jetesën dhe natyrisht është i shenjtë. Duke qënë i tillë kjo nuk do të thotë që nuk preket nga elementë të tjerë për goditjen e cilësisë së saj. Unë nuk kam thënë asnjëherë që nuk ka kontraband dhe nuk do e them. Kam nxitur të gjithë ata që janë në terren që të denoncojnë fenomene të kësaj natyre, kam mbështetur të gjithë ata që t’i bëjnë publike por elementi tjetër është që duhen nxitur edhe organet përgjegjëse, si AKU që të shtojnë kontrollet dhe t’u japin përgjigje elementëve që krijojnë këto opinione. Ka elementë që janë abuzues, por ata janë informal dhe ne duhet të luftojmë informalitetin. Opinionin e krijon media, por edhe opinionistët e rrugëve. Për mua është momenti për t’i vënë fre kërij fenomeni që nuk është i bazuar në fakte.

A duhet të lëvizë prokuroria në këtë rast për të nxjerrë të vërtetën apo do ta lëmë të kalojë në diskutime mediatike gjithësesi?

Po të ketë fakte konkrete lëviz prokuroria, pa fakte, nuk e besoj. Këtu bëhet fjalë për opinione rrugësh, të mbledhura gjithandej dhe nuk besoj se është aq shqetësuse për ta kaluar në problem ligjor. Kjo është shqetësuese kur kemi fakte konkrete. Do të lëviste prokuroria nëse media do të paraqiste një fakt konkret apo një emër konkret. Nuk mund të lëviz prokuroria për opinione rrugësh.  Kjo është qesharake. Nëse kemi fakte patjetër që duhet të ndërhyjë prokuroria.

Diҫka që unë dua të tërheq vëmendje është  që në duhet të bëjmë shumë kujdes me karantinën, në momentin që bëjmë spërkatjen. Ne nuk kemi karantinën e nevojshme.  U bëj thirrje të gjithë prodhuesve që të jenë të kujdesshën në këtë drejtim. Dua të përmend dhe një fakt që është shumë i rëndësishëm. Para disa ditësh ne kemi bërë një konferencë me Global G.A.P e cila është organizata më e madhe në botë për ҫertifikimin dhe një kompani shumë e madhe u kishte telefonuar dhe thënë që duam të marrim prodhime nga Shqipëria por duam prezencën tuaj atje. Zëvendëspresidenti i Global G.A.P ka ardhur në Shqipëri. Ne kemi nisur një proҫes dhe me mbështetjen e Risi Albanias shumë shpejt do fillojmë zbatimin e atyre kritereve që ka Global G.A.P., pra nuk jemi duke zbritur përsa i përket cilësisë por jemi drejt stabilizimit të situatës.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *