Ulja e rimbursimit të TVSH-së, Rrapaj: Pasojat dhe alternativat për zgjidhjen e problemit

Ulja e rimbursimit të TVSH-së për produktet bujqësore nga 20% në 6% duke bërë që diferenca prej 14% të rëndojë mbi prodhuesit, ka krijuar mjaft probleme. Fermerët kanë dalë në protesta duke hedhur produktet e tyre në rrugë. Lidhur me këtë temë kryetari i Këshilli të Agrobiznesit SHqiptar, Agim Rrapaj, i ftuar në TV Scan, ka folur mbi problemet e krijuara, reagimin e fermerëve dhe masat që duhen marrë për ta zgjidhur këtë situatë. Ai theksoi efekt e këtij ndryshimi ligjor, ku përmendi si pasojë rritjen e informalitetit, humbjen e gjurmueshmërisë dhe rritjen e pasigurisë ushqimore. Në këto kushte grumbulluesit do të drejtohen tek produktet e importit duke braktisur prodhimet vendase. Kryetari i KASH paraqiti edhe alternativat e mundshme për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.

Intervista e plotë

Në çfarë situate ndodhet sot një prodhues apo grumbullues për shkak të ndryshimeve ligjore? 

Situata është tensionuar dhe reagimi ishte i pritshëm. Ky ndryshim është bërë pa u studiuar terreni, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa bërë një studim të mirëfilltë mbi pasojat e mundshme, si pasojë ne sot ndodhemi përballë kësaj situate, e cila nuk është më e keqja. Që të ndryshojë një paketë fiskale apo ndryshimi i ligjit mbi TVSH-në, duhej bërë një studim mjaft i gjerë dhe duhej konsultuar me grupet  e interesit në mënyrë që të gjendej një zgjidhje për të gjitha palët. Ne kemi qënë kundër një ndryshimi të tillë. Ministria e Financave duhet të bashkëpunonte me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjë e cila nuk ka ndodhur. Ligjvënësit para se ta miratonin këtë masë duhet të diskutonin në komisionet përkatëse me grupet e interesit. 

Pse është nxituar për të miratuar një ndryshim të tillë ligjor? 

Arsyeja për ne mbetet e pazbuluar. Ka indicie duke menduar që fermeri nuk merrte 20% të TVSH-së nga grubmulluesi. Kjo masë prej 6%,  që është sot në fuqi ka qënë edhe më parë. Arsyeja pse bëhet ky rimbursim është që ky sektor të formalizohet, produktet të shiten, mundësia për të lidhur kontrata të bëhet më e madhe dhe nga ana tjetër ne të kemi mundësi të evidentojmë të gjithë produktin. Ne sot jemi në një situatë që ky 14%, nga grumbulluesit nuk mund t’u kalojë fermerëve. Fermerët janë në një situatë që nuk kanë asnjë hapësirë për të ulur çmimin e shitjes së produkteve të tyre. Fermerët po reagojnë me të drejtë, pasi edhe argumentat që jepen nuk janë argumenta bindëse për ta. Edhe masa për heqjen e TVSH-së për inputet nuk ka asnjë ndikim tek blegtorët, pasi 75% e shpenzimve të blegorëve që prodhojnë qumësht nuk janë prekur fare nga masa për inputet, mbetet vetëm një 25 %, por edhe kjo masë nuk është parë ende pasi do një kohë për t’u realizuar. 

A ka një kategori që përfiton nga ndyshimet në paketën fiskale? 

Ka një kategori që përfiton dhe në rastin konkret do të përfitojnë importuesit, do të përfitojnë produket e subvencionuara në vendet e tjera që janë me një kosto më të lirë sesa prodhimet tona dhe në këto kushte do të përfitojnë ata grumbullues të cilët nuk kanë blerë produkte vendi deri më sot. Tendenca për të përfituar është më e lartë tek importuest sesa për ata të cilët kanë lidhur marrëveshje me fermerët.

Do të ketë ulje të prodhimit vendas? 

Patjetër që do të ketë ulje të prodhimit vendas dhe probleme të tjera që lidhen me investimet e bëra nga grumbulluesit. Këtu kemi lindjen e konfliktit, fermerët tashmë të detyruar po u bashkohen grumbulluesve pasi nuk kanë rrugëzgjidhje sepse deri më sot kishin mundësi ta shisnin produktin e tyre.  Në vitin 2013 ishin vetëm 6 mijë ferma të formalizuara ndërsa sot janë 41 mijë ferma dhe i vetmi mekanizëm ekonomik ka qënë TVSH-ja. Tani kjo vlerë e fermave të formalizuara do të ulet pasi nuk u nevojitet më NIPT-i. Me 6% rimbursim TVSH-je  nuk kanë interes.

Cili sektor ndodhet  tepë vështirësi nga këto ndryshime ligjore? 

Të gjithë ndodhen në vështirësi, në radhë të parë përmendim blegtorët. Importi i qumështit dhe i nënprodukteve, i mishit dhe nënprodukteve të tij janë ndër ushqimet bazë dhe importoheshin rreth 200 milion euro në kohën që ishte rimbursimi prej 20%, aq më tepër tani. Edhe gjithë produktet e tjera janë të diskriminuara në raport me produktet që importohen dhe janë të subvencionuara nga jashtë vendit. 

Ka filluar reagimi në treg me aq sa ju keni vëzhguar deri tani? 

Ka filluar reflektimi dhe realisht ka filuar me një reagim të fortë te fermerëve, njëkohësisht me tërheqje të grumbullesve nga tregu vendas. Të gjitha këto së bashku të çojnë në një kolaps, janë humbje dhe ditët e protestave apo produktet që po hidhen në rrugë. Problemi është që do të rritet informaliteti, duke sjellë më shumë shqetësime përsa i përket sigurisë ushqimore. Do kemi përsëri fermerë që do të duan të shesin drejtëpërdrejtë në treg dhe jo përmes grumbullimit. Në këtë mënyrë do të humbasim gjurmueshmërinë.  Tre janë zgjidhjet që paraqiten në këtë rast.  E para është kthimi në rimbursimin prej 20%, zgjidhja e dytë ka të bëjë me unifikimin 6% në shitje dhe 6% në blerje, ashtu siç e ka edhe Europa. Elementi i tretë është që të vendoset një 14% barrierë për të gjitha produktet vendase që importohen dhe konkurohen në mënyrë të padrejtë nga produktet e subvencionuara në vendet e tjera. Në këto kushte jemi të detyruar të gjejmë një ndër këto zgjidhje.  Problemit i jepet zgjidhje duke qënë të unifikuara shoqatat e biznesit, vetë fermerët, grumbulluesit dhe deri tek konsumatorët. 

A kanë akses për të përfituar nga subvencionet fermerët e vegjël, pasi duket sikur kemi një ulje të subvencionit? 

Unë nuk shoh problem uljen e fondit të programuar, pasi këtë vit kemi më shumë se çdo vit tjetër. Problemi qëndron tek disbursimi i fondeve dhe jo tek programimi. Kemi më shumë fonde pasi kemi programin IPARD, fondet e GIZ SARED –it të cilat janë të konsiderueshme, kemi më shumë se 4 milion euro nga skemat e subvencionit, programin “100 fshatrat”, etj.

Problem mbetet disbursimi dhe ne krijojmë këto barriera, këto konflikte të cilat na pengojnë më tepër disbursimin. Masat që duhen marrë janë thënë disa herë. Së pari duhet bërë pajisja me çertifikatat e pronësisë, në zonat rurale nuk kemi të stabilizuar dhe të azhornuar sipërfaqen e tokës e cila është baza, së dyti duhet të evidentojmë të gjitha asetet që kemi, kemi mbi 9000 traktorë të paregjistruar. Nuk po punojmë për mbrojten e mjedisit, me këtë çmim nafte dhe energjie nuk mund të tërheqim investitorët. Element tjetër negativ është ndërhyrja që u bë tek rimbursimi i TVSH-së dhe në paketën fiskale në tërësi, ku mund të marrim si shembull edhe rritjen e
çmimit të plastmasit për serat ku nuk është dhënë një shpjegim dhe nuk është ndërhyrë për ta rregulluar. 

Për pjesën e subvencioneve  çfarë masash duhet të merren që këto fonde të shkojnë tek fermerët? 

Kemi bërë disa propozime konkrete. Një pjesë e mirë e fermerëve janë përjashtuar për shkak të mungesës së çertifikatave të pronësisë. U kërkohet blegtorëve çertifikatë pronësie për stallat, gjë e cila është mjaft e vështirë pasi ata i mbajnë ato vetëm 2 muaj dhe nuk ndërtojnë stalla që mund të çerifikohen. Këta janë të përjashtuar nga subvencioni dhe sidomos nga IPARD-i. Elementi i dytë ka të bëjë me mënyrën e ndërtimit të dosjeve të aplikimeve apo mosformalizimi i fermave.

Ne kemi propozuar masa konkrete për formalizimin e fermerëve, kjo përmes kartës elektronike, futjen e regjistrit elektronik dhe ashtu siç është QKB-ja, të kemi një qendër vetëm për regjistrimin e fermerëve. Në këtë mënyrë do kemi mundësinë që sektorin ta bëjmë të krahasueshëm me vendet e tjera. 

A pritet të merret në konsideratë kërkesa juaj për ngritjen e një qendre kombëtarë për fermerët siç është ajo për biznesin? 

Ne këto ditë jemi në pritje për ta diskutuat me ministrin Çuçi dhe me ministren Denaj, kemi lënë në mes këtë diskutim. Vitin tjetër do të bëhet censusi dhe ne mendojmë të bëjmë një kombinim shumë të mirë të propozimit që ne kemi bërë dhe të censusit nga ana tjetër, për të pasur mundësi që të evidentojmë të gjitha asetet që këmi në zonat rurale. Kemi asete të pashfrytëzuara si rezultat i mungesës së kooperimit, mungesës së inovacionit dhe mekanizimit dhe kemi mundësi t’i shfrytëzojmë përderisa nuk i kanë braktisur të gjithë zonat rurale dhe t’u krijojmë mundësi atyre që duan të kthehen. Vetëm duke krijuar këtë terren kemi mundësi që të zhvillojmë bujqësinë, blegtorinë dhe zonat rurale në tërësi. Janë për t’u përshëndetur fondet që janë dhënë për programin “100 fshatrat”. Në këto 100 fshatra po krijohet një model, por duhet të ndryshojme drejtim kudo në zonat rurale, pasi nuk mund të vazhdojmë me bujqësinë tradicionale, por të futemi tek agroturizmi, tek mjedisi dhe përpunimi i produkteve tradicionale. Ne kemi kultivarë të jashtëzakonshëm që nuk gjenden në asnjë vend.

Kohët e fundit kemi një numër të lartë shqiptarësh që kanë lënë vendin apo kanë deshirë për tu larguar. A është vënë re kjo dhe në zonat rurale duke shtuar sipërfaqen e tokës djerrë? 

Ndryshimet që janë bërë i kanë dhenë një goditje tepricës së produkteve, nuk kemi pasur një zhvillim të qëndrueshëm të fermave tona. Kemi një problem shumë të madh, përsa i përket kooperimit në drejtim horizontal. Ne nuk po bashkohemi në bazë dhe nëse nuk konsolidohemi në bazë do të kemi vështirësi në kooperimin vertikal në mënyrë që të bëjmë zinxhirin e vlerës. Kemi mjaft lëvizje nga zonat rurale, lëvizje që po çojnë në rritjen e sipërfaqes së tokës djerrë dhe uljen e numrit të krerëve nga viti në vit. Kjo shpjegohet me mugesën e tregjeve dhe rritjen së kostos së produktit.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *